Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra do të përballet të enjten mbrëma me Francën, një nga fuqitë më të mëdha të hendbollit botëror. Ndeshja do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, me fillim nga ora 20:15.
Përballja sjell në kryeqytet disa prej hendbollisteve më të mira në botë, teksa Franca konsiderohet superfuqi e padiskutueshme në këtë sport. Lista e sukseseve të përfaqësueses franceze është e pasur, duke përfshirë titujt e kampiones së botës në vitet 2003, 2017 dhe 2023, si dhe disa medalje të tjera të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2026, Franca ka treguar formë të lartë duke fituar katër ndeshjet e para dhe tashmë ka siguruar kualifikimin. Për këtë arsye, ajo konsiderohet favorite absolute në përballjen ndaj Kosovës.
Megjithatë, Kombëtarja e Kosovës synon një paraqitje sa më dinjitoze para publikut vendas, me synimin për të dhënë maksimumin përballë një kundërshtari të nivelit më të lartë botëror.