FIFA ka konfirmuar se do të shqyrtojë mundësinë e zgjerimit të Kupës së Botës në 64 kombëtare për edicionin e vitit 2030.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi se kjo çështje do të analizohet nga komitetet përkatëse pas përfundimit të Botërorit 2026.
Infantino argumentoi se zgjerimi i turneut do t'u jepte më shumë vendeve mundësinë për të ëndërruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës dhe do të rriste zhvillimin e futbollit në nivel global.
"Çdo komb duhet të ketë mundësinë të ëndërrojë se mund të marrë pjesë në Kupën e Botës. Nëse vendeve më të vogla nuk u jepet kjo mundësi, atyre u mungon motivimi për t'u përmirësuar," deklaroi Infantino.Megjithatë, propozimi për 64 skuadra ka ngritur debate të shumta.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, e quajti idenë një "ide të keqe", duke argumentuar se një zgjerim i mëtejshëm do të dëmtonte si vetë Kupën e Botës, ashtu edhe procesin kualifikues në Europë.
Nëse miratohet, Botërori 2030 do të zhvillohej me një format historik, ndërsa turneu do të organizohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, me ndeshje hapëse edhe në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, në nder të 100-vjetorit të Kupës së Botës.