Nën tingujt e këngëve, recitimeve dhe emocioneve të fëmijëve, në Mitrovicë u mbajt manifestimi tradicional i “Festës së Abetares”, ku u mblodhën nxënës, mësimdhënës dhe përfaqësues institucionesh nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në këtë aktivitet u vlerësua rëndësia e gjuhës shqipe dhe abetares si simbol i dijes, identitetit dhe bashkimit të shqiptarëve në të gjitha trojet.
Kryetari i Këshillit Organizativ për Festën e Abetares, Avni Rexha, tha se ky manifestim organizohet tash e 14 vjet nga Ministria e Arsimit.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se Mitrovica është nikoqire me krenari e këtij manifestimi.
“Të dashur fëmijë, Mitrovica është zemra e Kosovës e ju jeni shpirti i një kombi. Kënaqësi dhe privilegj me qenë në një ambient me kategorinë e shoqërisë më të dashur, siç janë fëmijët që na ofrojnë mirësi, gëzim, hare, dashuri dhe lumturi. Të dashur nxënës, prindër, përfaqësues të institucioneve, këtu në Mitrovicë shqiptarët nga të gjitha anët na bashkojnë bashkë gjuha, shkronjat dhe mbi të gjitha dashuria për dijen. Jam i lumtur që sot këtë manifestim tradicional që filloi në vitin 2012, Festën e Abetares, ne si Komunë e Mitrovicës të jemi nikoqir. Prandaj kënaqësia është edhe më e madhe kur e shoh brezin e ri të fëmijëve që me kaq zell e nisin rrugën e tyre drejt dijes. Abetarja nuk është vetëm një libër, ajo është ABC-ja e një suksesi që ju do ta arrini në të ardhmen. Ajo është dera e parë që hapet drejt botës së shkronjave, drejt dijes. Përmes saj ju, fëmijë të dashur, tani do të mësoni të lexoni, shkruani dhe të shprehni ambiciet dhe dëshirat tuaja”, tha Peci.“Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur sinqerisht që jam në këtë festë simbolike dhe për mua ka një përmasë të jashtëzakonshme për vlerat që bart. Siç e tha edhe kryetari, Festa e Abetares dhe kjo festë simbolike nuk është thjesht vetëm përfundimi i një libri apo mësimi i të shkruarit dhe të lexuarit në gjuhën amtare, por për ne shqiptarët Festa e Abetares dhe festa e mësimit të gjuhës shqipe, ashtu siç ka qenë shumë vite më parë, breza më parë, është po aq e rëndësishme, po aq adekuate edhe sot e kësaj dite. Akoma edhe sot vazhdojnë në thellësi të së shkuarës herë pas here të nxjerrin kokën për ta ulur dhe për ta mohuar këtë gjuhë të vjetër dhe të lashtë sa është mali dhe deti, siç thoshte Kuteli. Nuk kam qejf të bëj historik, por nuk mundem të kaloj pa i përmendur dy-tri fakte historike. Fakti që kjo festë e kësaj radhe bëhet në Mitrovicë vetvetiu të kujton dy polet e kombit shqiptar, Mitrovicën e Isa Boletinit dhe Vlorën e Ismail Qemalit. Mitrovica që ishte prezente, ku atëherë asnjë nga ne nuk ishte gjallë, në motin e të shkuarës 1912, me ata burra mjekërbardhë e qeleshebardhë, siç thoshte Kuteli, në ngritjen dhe kurorëzimin e kombit tonë shqiptar. Fakti që sot jemi këtu dhe festojmë së bashku gjuhën shqipe nga të gjitha trevat e kombit shqiptar, ashtu siç është Shqipëria natyralisht, unë besoj që është ëndërr edhe e atyre që kanë derdhur gjak e që sot nuk janë mes nesh dhe prehen në altarin e lirisë së përjetshme”, tha Akllaj.
Përfaqësuesja nga Maqedonia e Veriut, Mjellma Gashi, tha se gjuha shqipe mbetet elementi që bashkon shqiptarët.
Rona Elezi nga Shkupi tregoi për KosovaPress se shkronja e saj e preferuar është “R”, pasi lidhet me emrin e saj.
Me buzëqeshje dhe plot emocion, Endit Rexhaj nga Shqipëria tregoi për KosovaPress për shkronjat e tij të preferuara dhe sfidat që kishte hasur gjatë mësimit të tyre në klasën e parë.
“Unë quhem Endit Rexhaj, vij nga Shqipëria. Më së shumti më ka pëlqyer shkronja ‘A’ dhe më e vështira ‘Nj’. ‘Më pëlqen me gjyshen të shëtis ngadalë, gjërat t’i shoh si në përrallë, pikat e vezës dhe lulet e bukura, sa guralecë me flutura, sa mirë që të kam o e ëmbla Gjyshe’”, tha ai.
“Klasa e parë ka qenë shumë e bukur për mua, ka qenë pak e vështirë. Shkronja ‘B’ më ka pëlqyer. ‘Ora jonë sot feston, o sa bukur tingullojnë, oborret mbushen me hare, ora jonë sjell gëzim për ne”, tha ajo.
Eurolisa Demushi nga Shqipëria foli për përvojën e saj në klasën e parë dhe shkronjat që ka mësuar gjatë vitit shkollor, duke veçuar ato që i pëlqejnë më shumë dhe ato që i kanë dukur më sfiduese.
Festa në Mitrovicë la pas një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocione, ku fjala e shkruar dhe gjuha shqipe u shndërruan në urë që lidhën fëmijët me dijen dhe traditën. Aktiviteti u mbyll me mesazhin se abetarja mbetet hapi i parë i rëndësishëm në rrugëtimin arsimor të çdo fëmije dhe një simbol që bashkon brezat shqiptarë kudo që jetojnë.