Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, foli për sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani.
Ajo tha se ka qenë dëshmitare okulare e ngjarjes. Sipas saj, Mehani është sulmuar fizikisht nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
“Po, sot rreth mesditës unë bashkë me zëvendësministrin Mehani ishim duke pirë një kafe në një nga kafeteritë në qendër të Skënderajt edhe ishim duke diskutuar, domethënë fare të shpërqendruar në muhabetin tonë pa asnjë vëmendje rreth asaj se çka po ndodhte përreth edhe pa asnjë lloj komunikimi paraprak me zotëri Lushtakun. Ai u afrua dhe e sulmoi zëvendësministrin Mehani. Fillimisht me telefon, pastaj me dorë, pastaj edhe me gotë, siç keni pasur mundësinë me pa edhe dëmin, të cilin e ka në fytyrën e tij. Kur sekretari i qendrës sonë, Bardh Zabeli tentoi tw ndërhyjë për ta qetësuar situatën, me i nda pak, mos tw vazhdojw ajo përplasja fizike, ai u sulmua edhe nga disa persona të tjerë përreth, të cilët unë nuk i di se kush janë, as nuk i njoh, por ishin bashkë me zotëri Lushtakun në atë moment”, tha Fejza.
Sipas Fejzës, nuk ka pasur asnjë provokim para incidentit.
“Absolutisht asnjë. Në fakt, në momentin kur është sulmuar, unë kam qenë vetë duke biseduar me zotëri Mehani, kemi qenë jashtë, ka pasur pak më shumë zhurmë, ka pasur njerëz, ditë e mirë, njerëzit kanë qenë në lokal, kemi qenë më afër madje duke komunikuar për shkak të zhurmës. Domethën,ë tema s’ka pas fare të bëjë as me Skënderajn, ne kemi qenë duke diskutuar një çështje krejt tjetër. Gjithçka ka ndodhur pa asnjë provokim dhe pa asnjë reagim prej anës sonë”, u shpreh ajo.