Federata Evropiane e Gazetarëve e ka miratuar në mënyrë unanime në Kongresin Vjetor në Ankara mocionin në mbështetje të mediave në Kosovë, që kanë qenë subjekt i gjobave joproporcionale nga Komisioni i Pavarur i Mediave.
EFJ në tekstin e mocionit ka thënë se këto dënime janë përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe debatit në Kosovë, dhe kanë ndodhur pas kërkesave dhe ankesave të anëtarëve të partisë në pushtet, Vetëvendosje.
Presidentja e EFJ-së, Maja Sever ka thënë se mediat dhe gazetarët në Kosovë e kanë përkrahjen e plotë evropiane për të vazhduar punën e tyre të rëndësishme në interes të publikut.
Teksti i plotë i mocionit:Propozuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK, Kosovë)
Kongresi Vjetor i Federatës Evropiane të Gazetarëve, i mbajtur në Ankara, Turqi, më 18–19 qershor 2026, shpreh shqetësim për presionin e paprecedentë që është ushtruar gjatë dy muajve të fundit ndaj televizioneve kryesore në Kosovë nga rregullatori i mediave në vend, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).
Këto gjoba i shohim si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në Kosovë, me synim dobësimin e debatit publik dhe kufizimin e aftësisë së mediave për ta mbajtur Qeverinë përgjegjëse për punën e saj. Kjo është një përpjekje për frikësimin e gazetarëve që mund të çojë në vetëcensurë. Shumat që duhet të paguhen do të krijojnë barrë shtesë për televizionet, të cilat tashmë përballen me vështirësi financiare.
Kongresi Vjetor i EFJ-së gjithashtu vëren gjetjet e një raporti të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ngrisin shqetësime se disa nga vendimet e KPM-së janë miratuar përtej afateve ligjore të përcaktuara për vendimmarrje, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e tyre.
Për këtë arsye, Kongresi Vjetor i EFJ-së udhëzon Bordin Drejtues që të ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
● t’i dërgojë një letër Komisionit të Pavarur të Mediave duke kërkuar respektimin e Ligjit për KPM-në dhe të mos tejkalojë kompetencat dhe përgjegjësitë e veta gjatë shqyrtimit të ankesave;
● t’i bëjë thirrje Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës që të mbajë një takim urgjent me anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave për të siguruar që vendimet e tyre të mos cenojnë punën e mediave dhe lirinë e medias.