FBK e mban Kuvendin e Punës
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
FBK e mban Kuvendin e Punës
image (7)
23/03/2026 - 20:53
Linku u kopjua

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka mbajtur sot Kuvendin e rregullt të Punës dhe Statutar në Prishtinë.

Në këtë Kuvend morën pjesë 35 delegatë nga 37 gjithsej, duke plotësuar kështu numrin e nevojshëm për vendimmarrje. Pas zgjedhjes së trupave punues (Kryesisë së Punës, Komisionit Verifikues dhe Procesmbajtësit), u aprovua procesverbali i mbledhjes së kaluar dhe rendi i ditës.

Gjatë punimeve të Kuvendit, Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, prezantuan Raportin e Punës për vitin 2025, si dhe Raportin e Auditorit dhe Pasqyrat Financiare.

Kryetari Fetahu bëri të ditur se shpenzimet totale për vitin 2025 kanë qenë 2,275,166 euro, ku peshën kryesore e mbajnë garat vendore.

Gjatë prezantimit të raportit financiar, Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, zbardhi shifrat e vitit që lamë pas, ku shpenzimet totale kapën vlerën prej 2,275,166 euro. Ai vuri theksin te kostoja e lartë e mbajtjes së garave:

"Garat vendore vazhdojnë të jenë pika më e lartë e shpenzimeve sërish, për shkak se ne subvencionojmë në të gjitha nivelet e garimit – femrat, gjeneratat e reja dhe Superligën – kështu që këto i përbëjnë shpenzimet më të mëdha, rreth 700 mijë euro për gara vendore."

Fetahu gjithashtu foli hapur për sfidat me detyrimet ndaj shtetit:

"Lidhur me borxhet që federata ka ndaj palëve të treta, borxhliu më i madh i Federatës së Basketbollit është pikërisht shteti, se borxhet më të mëdha ia kemi ATK-së."

Pika kulminante e mbledhjes ishte miratimi i Planit Strategjik 2026–2030. Ky plan synon rritjen e cilësisë në basketbollin profesionist, masivizimin e sportit te gjeneratat e reja dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, prezantoi projeksionet financiare për vitin 2026, ku të hyrat e pritshme llogariten të jenë 2.9 milionë euro.

"Nga kjo shumë, rreth 1 milion euro janë të hyra të pritshme nga Ministria e Rinisë dhe Sportit, 1 milion e 100 mijë euro ngasponsorët dhe rreth 220 mijë euro nga projektet e tjera, përfshirë programin Erasmus+. Të hyrat vetanake llogariten rreth 244 mijë euro, ndërsa nga organizimet tona presim rreth 200 mijë euro," specifikoi Dushku.

Pavarësisht planeve ambicioze, Kryetari Fetahu shprehu shqetësimin për vonesat në marrëveshjet me institucionet qendrore për shkak të rrethanave politike në vend:

"Ne kemi bërë një kërkesë në Ministri për një shumë të konsiderueshme parash, të cilat na duhen për të qenë të gatshëm për t’i organizuar aktivitetet e verës, por që ende nuk ka marrë epilog. Tash sërish jemi në një situatë të pasigurisë politike, me zgjedhjet e reja potenciale."

Në fund, Kuvendi miratoi ndryshimet statutare dhe aktet e tjera normative. Sa i përket ndryshimeve në struktura, delegatët votuan që Arben Gorani të jetë anëtari i ri i Këshillit Mbikëqyrës, duke zëvendësuar në këtë pozitë Dren Zatriqin. Të gjitha pikat u miratuan unanimisht, duke konfirmuar unitetin brenda familjes së basketbollit.

Kosovapress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026