Kyçja e Mazgitit nuk po rehatohet kurrsesi.
Kjo pjesë e rrugës, që lidh autostradën Ibrahim Rugova me magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, është prishur sërish.
Një gjë të tillë e pranoi edhe vetë ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, që të premten doli të shoh si po shkojnë punimet në rregullimin e problemit.
"Me të drejtë është ngritur si çështje publike gjendja në këtë segment rrugor, në kyçjen e Mazgitit, pasi i njëjti është rehabilituar në vitin 2023 dhe më pas është intervenuar edhe në vitin 2025”, ka thënë ai, sipas një njoftimi të dikasterit që udhëheq. “Fatkeqësisht, segmenti ka degraduar përsëri”.Por, duket sikur Basha e ka gjetur fijen e problemit që ka trashëgimi të gjatë të çarjeve dhe rrëshqitjeve.
“Sipas vëzhgimeve tona të para, dëmtimet dyshohet se janë shkaktuar nga depërtimi i ujërave nën trupin e rrugës, në zonën ku kalojnë gypat e ujësjellësit të “KRU Prishtina”, tha ai.
KosovaPress kë kërkuar komente nga ujësjellës për këto që ka thënë Basha. Nga këtu premtuan se do të kthejnë përgjigje më vonë.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij segmenti për qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve, nuk kemi mundur të qëndrojmë indiferentë. Për këtë arsye kemi ndërmarrë një intervenim të përkohshëm, me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurt, deri në zgjidhjen e plotë dhe të qëndrueshme të problemit", tha ai.