Të paktën pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian aktualisht po e bllokojnë drejtpërdrejt Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, duke mos mbështetur hapjen e grupit të tretë të kapitujve (Klasterit 3) në negociatat e anëtarësimit.
Përveç Holandës, përfaqësuesi i së cilës e ka konfirmuar zyrtarisht këtë për Radion Evropa e Lirë, ndër vendet që kundërshtojnë hapjen e klasterit janë edhe tri shtetet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – si dhe Suedia.
"Situata ka arritur në pikën kritike", kanë thënë burime të kësaj gazete.
Përgjegjës për këtë situatë ata e konsiderojnë regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se ai i ka shteruar tashmë të gjitha kreditë politike dhe besueshmërinë për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Sipas tyre, mënyra e qeverisjes së tij karakterizohet me korrupsion, shkelje të të drejtave të njeriut dhe kufizim të lirisë së shprehjes.Mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë ishte arsyeja e parë që nga dhjetori i vitit 2021 negociatat e anëtarësimit të Serbisë me BE-në u bllokuan praktikisht.
Ndërkohë, situata në fushën e sundimit të ligjit është përkeqësuar, gjë që është pasqyruar edhe në raportet e Komisionit Evropian.