Sporti edhe një herë dëshmoi fuqinë e tij si një mjet i jashtëzakonshëm edukimi, motivimi dhe zhvillimi personal për të rinjtë. Në ambientet e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Pavarësia” në Prishtinë, nxënësit e klasave të shtata u bënë pjesë e një aktiviteti sportiv edukativ, i cili solli emocione, energji pozitive dhe një frymë të fortë bashkëpunimi mes bashkëmoshatarëve.
Kjo mini garë u zhvillua në kuadër të projektit “Sporti për Edukim dhe Vetëbesim”, I mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe zbatohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim.
Gjatë gjithë turneut u vërejt një angazhim i jashtëzakonshëm nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse. Nxënësit demonstruan energji, vetëbesim dhe dëshirë për të fituar, duke respektuar në çdo moment rregullat e lojës dhe kundërshtarët e tyre. Ndeshjet ishin dinamike dhe të mbushura me aksione interesante, ndërsa publiku i përbërë nga bashkëmoshatarë dhe mësimdhënës krijoi një atmosferë motivuese dhe festive.
Pas dueleve të forta dhe konkurrencës së shëndetshme, dy klasat më të suksesshme siguruan vendin në finale. Rruga drejt ndeshjes përfundimtare nuk ishte e lehtë, pasi të gjitha ekipet treguan nivel të lartë gare dhe dëshirë për të arritur deri në fund.Përmes lojërave ekipore dhe aktiviteteve sportive, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë vlera të rëndësishme jetësore si bashkëpunimi, respekti i ndërsjellë, përgjegjësia, disiplina dhe menaxhimi i emocioneve. Këto janë aftësi që tejkalojnë kufijtë e fushës sportive dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në formimin e qytetarëve të përgjegjshëm dhe aktivë.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Sporti për Edukim dhe Vetëbesim”, i cili po zbatohet nga organizata joqeveritare Qendra për Inovacione dhe Zhvillim me mbështetjen financiare të Komunës së Prishtinës. Projekti synon promovimin e edukimit joformal përmes sportit, nxitjen e stileve të shëndetshme të jetesës dhe fuqizimin e brezave të rinj përmes aktiviteteve që ndërtojnë vetëbesim, bashkëpunim, disiplinë dhe respekt të ndërsjellë.