Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe dy ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri. Ndonëse, bazuar në qëndrimet e partive politike parlamentare, vështirë se do të ketë zgjidhje për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Megjithatë, profesori universitar Mazllum Baraliu ka vlerësuar se oferta e fundit e kryeministrit Albin Kurti për partitë opozitare, LDK dhe PDK, lidhur me zgjedhjen e presidentit, ka ardhur me vonesë, por megjithatë duhet shfrytëzuar si mundësi për zgjidhje, raporton KosovaPress.
Baraliu për KosovaPress ka deklaruar se çështja e presidentit është dashur të trajtohej menjëherë pas zgjedhjeve, pasi sipas tij është një proces që ndikon drejtpërdrejt në funksionalitetin institucional të vendit.
“Po, gjithsesi që është dashtë ma herët të trajtohet, madje “menjëherë pas zgjedhjeve të fundit çështja e presidentit për një marrëveshje ose një kompromis mes partive politike të opozitës dhe pozitës. Një gjë të cilën në fillim fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri Kurti nuk e ka vënë në prioritet në parë. Po meqë ne punët po i lëmë sipas partive tona politike në momentet e fundit, që nuk është mirë sepse janë çështje të rëndësishme dhe kushtëzuese. Kjo është një çështje që e kushtëzon dhe e devalidizon faktikisht, e zhbën nëse doni kushtimisht në thonjëza gjithë procesin elektoral dhe zgjedhjen e qeverisë dhe të konstituimin e Kuvendit. Pra është dashtë ma herët. Meqë kemi ardhë në situatë kur kemi thjesht këtë gjendje çfarë e kemi, "më mirë vonë se kurrë" thotë populli me të drejtë dhe ne po mendojmë që deri në momentet e fundit duhet shfrytëzuar mundësia. Dhe mundësia, oferta e LDK-së që është dhënë së fundmi, unë mendoj që është një ofertë serioze dhe do të duhet meqë edhe ashtu është ofruar mundësia nga fituesi i zgjedhjeve të këtyre dy partive opozitare që t'i zgjedhin nga tre kandidatë, atëherë do të duhet të diskutohet dhe të përfundojë shumë shpejt me një marrëveshje ku do të kishte një kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili apo edhe më shumë, i të cilët do të përkrahnin fillimisht me dhënien e nënshkrimeve”,tha Baraliu.“Ish-presidentja nuk është tani më në politikë dhe ajo është kandidate mendoj unë e duhur që mund të ofrohet. Por megjithatë kryetari i LDK-së nuk e ka lënë si të vetmen mundësi, ai me fjalë të tjera heshtazi ka pranuar që të ketë tre kandidatë ose dy, por njëri prej tyre mund të ishte Vjosa, gjegjësisht ish-presidentja që në fakt mendoj unë që asgjë nuk është jashtë kërkesave të fituesit të zgjedhjeve që këta kandidatë mos jenë partiakë. “,u shpreh ai.
Baraliu vlerëson se ekziston ende hapësirë ligjore dhe politike për arritjen e një marrëveshjeje, duke iu referuar edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili parasheh afate të qarta për zgjedhjen e presidentit.
Profesori shtoi se përgjegjësia tashmë mbetet te fituesi i zgjedhjeve për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend.
Duke komentuar qëndrimet e PDK-së, e cila e ka cilësuar ofertën si jo serioze, ai tha se qeveria ka bërë përpjekje konkrete për kompromis dhe se ofertat nuk duhet parë si taktika politike për fajësim të ndërsjellë.
Sa i përket mundësisë së zhvillimeve të ardhshme, Baraliu nënvizoi se ende ekzistojnë dy opsione dhe se duhet shfrytëzuar çdo moment për të arritur marrëveshje.
Dje, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje PDK-së dhe LDK-së që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët - konsensual, për president.
Megjithatë, PDK-ja tashmë e ka refuzuar këtë propozim.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill të zgjedh presidentin e ri të vendit. Vjosa Osmani ka përfunduar mandatin pesë-vjeçar më 4 prill.