Pesë të dyshuarve që u arrestuan në aksionin “Reçaku II”: Novica Peçinoqeviq, Stanoje Janiçeviq, Borko Paljiq, Sergjan Milisavljeviq dhe Stanko Saviq, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit, katër të dyshuarit e parë janë ish-policë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).
Këtë, sipas Prokurorisë, të dyshuarit e kanë bërë duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
Fillimisht, sipas kërkesës, sa i përket vrasjeve, thuhet se më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, të pandehurit ishin pjesë e aksionit policor të forcave policore serbe, me ç’rast morën pjesë dhe kontribuuan në vrasjen e 42 civilëve të fshatit Reçak.Në kërkesë thuhet se me këtë rast, në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashititc fillimisht e vrasin Banush Kamerin të cilit pastaj edhe ia presin kokën. E pastaj, në vendin e quajtur ‘’Vrella’’ i vrasin Haki Metushin, Sabri Sylën dhe Arif Metushin.
Tutje, thuhet se në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe fqinjin e tij- Hajriz Jakupin. Ndërkaq, në afërsi të shtëpisë së Zuk Mustafës i vrasin: Skender Halilin, Hanumshahe Mujotën, e vazhdojnë në drejtim të lagjes ‘’Beqaj’, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtie me armë zjarri në drejtim të tyre duke i vranë: Halim Beqirin, Riza Beqirin dhe Zenel Beqirin, kurse mbetën të plagosur Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri.
Në një pjesën tjetër të fshatit, Prokuroria thotë se nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit dhe dyqanit së Lutës (siç e quajnë fshatarët) gjuajnë me armë të kalibrave të ndryshëm në drejtim të vendit ku ishin strehuar civilët dhe në këtë moment e vrasin plakun Nazmi Imeri, në mënyrë mizore duke i la thyer kafkën, siç përshkruhet në raportin e autopsisë.
Në pikën dy të kërkesës, përshkruhen tortura dhe trajtimi çnjerëzor ndaj popullsisë civile. Aty thuhet se me datë 15 janar 1999, në fshatin Reçak, të pandehurit e lartcekur në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në trajtimin çnjerëzor të rreth 30 civilëve të fshatit Reçak.
Kurse, thuhet se gjatë kontrollit shtëpi për shtëpi vërejtën që në shtëpinë e Sadik Osmanit, në të paktën dy vende, ishin strehuar rreth 70 banorë civilë shqiptarë.
Në pikë tre të kërkesës, flitet për shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile. Aty thuhet se forcat policore ushtarake serbe ku bënin pjesë dhe të pandehurit, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Reçak.
Fillimisht, thuhet se e rrethuan fshatin Reçak në tre drejtime nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, pastaj nga distanca e granatuan me të gjitha mjetet ushtarake dhe në fund me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi për shtëpi.
Pika katër flet për dëbimin e popullsisë civile. Aty thuhet se të pandehurit me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuannë dëbimin e popullsisë civile të fshatit Reçak të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë, ashtu që fillimisht e rrethuan fshatin Reçak në tre drejtime nga vendet e lartpërmendura, pastaj nga distanca e granatuan me të gjitha mjetet ushtarake, më pas me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi për shtëpi.
Sipas Prokurorisë, bazuar në provat e administruara gjatë fazës preliminare të hetimit, siç janë: analizimi i materialeve video, identifikimi nga ana e qytetarëve si dhe në të dhënat operative dhe dëshmitë e mbledhura, konstatohet se të pandehurit kanë kryer veprën për të cilën dyshohen.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999. Aktakuza përshkruan vrasjet mizore, trajtimin çnjerëzor, dëbimet dhe shkatërrimin e pasurisë së civilëve.