Sistemi i pensioneve në Gjermani duhet të ndryshohet thellësisht dhe urgjentisht.
Këtë thirrje e ka bërë drejtori i Deutsche Börse (kompani gjermane e tregjeve financiare) Stephan Leithner, që tha se shteti po shpenzon gjithnjë e më shumë para për ta mbajtur atë sistem në funksion.
“Nuk mund të rrimë më duarkryq ndërsa gjithnjë e më shumë para nga buxheti federal nevojiten për të mbuluar boshllëqet në sistemin e pensioneve,” tha Leithner për Dpa, përcjellë KosovaPress.
Sipas tij, pensionet në Gjermani bazohen në tre burime kryesore - pensioni nga shteti, pensioni nga puna (kompanitë) dhe kursimet private të individëve.Leithner tha se qeveria gjermane ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, përfshirë planet për një llogari investimi të mbështetur nga shteti dhe një skemë pensioni që fillon herët, sipas së cilës fëmijët do të marrin kontribute mujore nga shteti.
Drejtori i Deutsche Börse gjithashtu kërkoi një kontribut më të madh fillestar në lindje, për secilin fëmijë, duke sugjeruar një pagesë të vetme prej 4 mijë euro(4 mijë e 591 dollarë) për të përfituar nga interesi i përbërë me kalimin e kohës.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka thënë se qeveria synon të ribalancojë tre shtyllat e sistemit të pensioneve këtë vit dhe të rregullojë më mirë këtë sistem.