Në ditën e dhjetë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” me thirrjet e zakonshme për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe kundër shitjes së pasurive kombëtare.
Pas grumbullimit në shesh, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u rigrumbulluar përpara Kryeministrisë.
“Nga Zvërneci deri në Rrjoll, sot Shqipëria po thotë boll”, ishte thirrja më e re e protestës.
Në pritje që më shumë qytetarë t’i bashkoheshin protestës, përfaqësuesi i grupit koordinues tha se protesta nuk është vetëm për flamingot, por edhe për 1001 hallet që ka populli shqiptar.Marshimi nisi, sipas thirrjes së grupit koordinues, me gratë dhe fëmijët në krye.
Ndërsa u mblodhën para Kryeministrisë, kanë nisur dhe fjalimet 3-minutëshe. Përfaqësuesja e grupit koordinues tha se në shesh nuk janë 2 mijë persona, por është e gjithë rinia shqiptare.
Sipas saj, dje banorët janë zgjuar me tokën e tyre të rrethuar me tela me gjemba.
“Kanë krijuar një komunizëm hibrid, kanë çdo gjë në dorë dhe nuk e lëshojnë pushtetin sepse nëse mbaron tranzioni kanë frikë të japin llogari”, tha ai. Sipas tij, kërkohet system i ri ku njerëzit të kenë besim të drejtësia dhe te njëri-tjetri.
Një vajzë e ardhur nga jashtë për të folur në protest iu drejtua protestuesve si fytyra e Shqipërisë së re. Sipas saj, ky është moment historik pasi për herë të parë pas 35 vitesh shqiptarët bashkohen pa dallim partie dhe tregojnë se nuk nëpërkëmben nga askush.
Njëri prej tyre u ndal te kërkesa për negociata, duke thënë se nuk ka negociata me Kryeministrin Rama. Të tjerë kërkuan lidhjen e besës për mbrojtjen e të gjitha zonave natyrore në Shqipëri.
Protestuesit thirrën në kor edhe UÇK ndërsa fjalën e mori një aktivist që nga Mallakastra shkoi në Kosovë kur atje ishte nevoja.
Në rast të kundërt, tha ai, këto protesta do përshkallëzohen dhe nuk do të jenë më kaq paqësore.
Nesër është paralajmëruar protestë mbarëkombëtare që u cilësua nga të pranishmit si “Besëlidhja e Tiranës 2026”.
Pas fjalimeve protestuesit nisën marshimin drejt bulevardit dhe rrugëve të tjera të Tiranës.