Pas gjashtë muajsh përpjekje, emisioni “Opinion” i TV Klan në Tiranë ka arritur që të zhvillojë një intervistë ekskluzive me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
I ndodhur në masa të rrepta sigurie, Thaçi u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Blendi Fevziu me shkrim.
Hashim Thaçi: Aktualisht më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar atë që më do zemra e thotë plotësisht mendja. Në këtë vështirëm, Blendi, do të mundohem të bëj më të mirën për rrethanat ku gjindem. Serbia u mor – e merret kohë të gjatë me mua. Më dënoi në mungesë me shumë vite burg. Në mënyrë të vazhdueshme (1993–97) bastisi shtëpinë, keqtrajtoi dhe arrestoi babanë, nënën, motrën dhe vëllezërit – në hakmarrje ekzekutoi edhe vëllanë e Lumes, Hakiun në masakrën në fshatin Studime të Vushtrrisë në maj 1999.
Në qershor 1999, lufta përfundoi. I takoi botës së shqiptarëve të mbijetuar. Sot “faji” im i vetëm është – pse jam gjallë. Nuk i takoj kategorisë së njerëzve që thonë se burgu është për burra, kjo shprehje më duket bezdisëse. Nuk jam altruist as asket. E kam bërë jetën, nuk jam fshehur prej saj. E kam ndjekur ritmin e maratonës. Rruga ime nuk ishte as fat e as rastësi, është qëllim që buron nga thellësia e botës sime, është e prekshme dhe transparente. Qysh herët e kisha vendosur gjithë qenien time në funksion” të idesë së lirisë.Liria dhe burgu nuk ngjiten kurrë. Nuk i ndan vetëm muri fizik, por emocioni, të menduarit dhe mënyra se si e sheh, ndjen dhe jeton botën. Izolimi është zgafellë me mungesë horizontesh dhe ashensor që të kalamend fizikisht e, besa, edhe mund të të verbojë. Jo për nga niveli i dioptrisë, por nga i ngatërrimit, apo mënyrës se si i sheh gjërat.