Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës organizoi një bashkëbisedim mes përfaqësuesve të bizneseve dhe Doganës së Kosovës, me qëllim diskutimin e sfidave me të cilat përballen bizneset dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, raporton KosovaPress.
Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, gjatë këtij takimi ka dëgjuar sfidat dhe shqetësimet e bizneseve për të cilat tha se do të adresohen në mënyrën duhur, në bazë të legjislacionit në fuqi dhe në afat sa më të shpejt.
Ai theksoi se kjo do të mundësojë zgjidhjen më të shpejtë të problemeve në rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ideja është që të vendosemi bashkërisht dhe të procesojmë të gjithë eksportin tonë dhe eksportin e Shqipërisë me një zyrë të vetme. Kjo na mundëson t’i zgjidhim të gjitha problemet më shpejt që mund të na paraqiten dhe besojmë se do të ketë ndikim të madh sa i përket eksporteve tona drejt Shqipërisë, si dhe prej Shqipërisë drejt Kosovës. Këto janë disa prej gjërave që kemi bërë dhe që synojmë t’i konkretizojmë. Kemi edhe ide të tjera, por duhet të jemi realistë dhe, krahas planeve, të sigurojmë edhe financimin dhe mbështetjen e nevojshme për realizimin e tyre”, tha Llugaliu.Përveç kësaj, Skënder Krasniqi, tha se bizneset presin që sa më shpejt të konstituohen institucionet, në mënyrë që të adresohen çështjet që, sipas tij, po i pengojnë prodhuesit vendorë.
Ai theksoi se një nga kërkesat kryesore të Dhomës së Tregtisë, e përsëritur tash e dhjetë vjet, është çështja e TVSH-së, e cila sipas tij, është një sfidë për bizneset.
Po ashtu bizneset shprehen shqetësimet e tyre për disa mallra të importuara për lëndën e parë të prodhimit që kanë akcizë të lartë. Për këtë çështje, drejtori LLugaliu premtoi adresimin e këtyre sfidave.


