Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një nga figurat kryesore të saj në Podujevë, Agim Veliu, ka reaguar duke refuzuar të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një reagim të gjatë drejtuar anëtarëve, aktivistëve dhe simpatizantëve të LDK-së, Veliu ka kritikuar ashpër lidershipin aktual të partisë, për të cilin tha se ka prodhuar përçarje dhe rënie të elektoratit.
Ai tha se nuk dëshiron të ndalet te rrugëtimi i tij politik apo sfidat në Degën e LDK-së në Podujevë, por te situata aktuale që po promovohet si “Bashkimi i madh”.
Sipas tij, ky “bashkim” po i rikthen në parti ata që më herët ishin anatemuar dhe eliminuar nga lidershipi aktual.Veliu zbuloi se para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 kishte shprehur vullnetin për të qenë kandidat për deputet, por kandidatura e tij nuk ishte marrë fare në shqyrtim nga dega në Podujevë, me arsyetimin se ishte “vendim i shefit të madh (Lumirit)” që ai të mos ishte pjesë e garës.
“Ndërsa sot e njëjta kryesi, me bekimin e shefit, më paska propozuar të jem në listën e kandidatëve për deputetë. Madje pa më kontaktuar dhe pa më konsultuar fare”, tha Veliu.
Dega e LDK-së në Podujevë ka nominuar sot Agim Veliun për kandidat për deputet në zgjedhjet e 7 qershori.