Ish-diplomati britanik përfundon dëshminë në Speciale
Lexohet për: 11 min.
Dëgjoje me zë...
Ish-diplomati britanik përfundon dëshminë në Speciale
duncan
23/09/2025 - 12:17
Linku u kopjua

(E përditësuar) Në pjesën e fundit të seancës, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan u përgjigj në pyetjet e trupit gjykues.

Ish-këshilltari i komandantit të atëhershëm të NATO-s, Wesley Clark, tha se gjatë kohës së luftës në Kosovë nuk kishin parë asnjë provë që dëshmonte ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm.

“Pse nuk kemi dëgjuar asnjëherë ne për Shtabin e Përgjithshëm me përjashtim të rasteve të deklaratave propagandistike. Ne kishim propozimin për këtë marrëveshje dhe nënshkrimet e para, dhe atje gjenerali Çeku nuk e ka përdorur këtë titull. Unë jam në dijeni të faktit se ka ekzistuar një organ që quhej Shtabi i Përgjithshëm, që është edhe në aktakuzë, më duket është krijuar më 1994, tani pikëpyetja për mua është kjo, çfarë funksione ka pasur ky organ gjatë luftës dhe pse asnjëherë nuk na është përmendur, dhe as nuk kemi parë ndonjë provë që të ketë ekzistuar ky organ”, tha ai.

Britaniku mohoi të ketë parë ndonjëherë urdhra apo vendime të lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Jo, me sa kam dijeni. Por ajo që kemi parë ne ka qenë roli i komandantëve të zonave apo rajonal, dhe roli i gjeneralit Çeku si dhe struktura ushtarake që ai na ka përshkruar dhe na ka thënë që jam komandant i kësaj strukture. Ka qenë titull tjetër pra”, u përgjigj Duncan kur u pyet nga gjykatësi Metro nëse ka parë ndonjë dokument - vendim apo urdhër - të Shtabit të Përgjithshëm.

Ish-diplomati britanik, i cili gjatë dëshmisë së tij theksoi se UÇK-ja nuk kishte hierarki, tha se nga ajo që kishin informacion, pushtetin e kishin komandantët e zonave.

“Sipas informacionit që kishim ne, kishim kuptuar që pushtetin e kishin komandantët e zonave dhe gjenerali Çeku, nëse do të ishim informacion tjetër, do të ishim sjellur ndryshe, nëse ky organ që e quan vetën Shtab i Përgjithshëm,, nëse kish qenë një organ i fuqishëm që të kishte kompetenca dhe të ishte në gjendje të komunikonte me ne, atëherë ne do të ju ishim drejtuar pikërisht Shtabit të Përgjithshëm, por nuk e bëmë. Ne nuk e kemi parë këtë shtab, nuk kemi pasur asnjë provë të ekzistencës së tij... Ne na kishin thënë se personat me të cilët duhet të komunikonim ne dhe të bashkëpunonim ne ishte ndër të tjerët edhe gjeneral Çeku i cili na tha që personat që duhet të kemi në palën tonë, janë komandantët e zonave. Kjo ishte arkitektura, efikase jo efikase, nuk ka rëndësi tani por kompetencën e pushtetit e kishin këta persona, prandaj ne shkuam të takonim këta persona”, shtoi ai.

Më pas seanca kaloi për disa minuta në sesion privat. Paraprakisht, dëshmitari u përgjigj në pyetjet e gjykatësit Barthe të cilit i tha se nga diskutimet që kishin me Agim Çekun, u ishte  thënë se prania e komandantëve të zonave në diskutimet për çarmatim, ishte thelbësore.

Në fund të seancës pyetje shtroi edhe gjykatësi Gejnor. Dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e tij, tha se Agim Çeku ishte gjenerali që kishte komandë dhe kontroll në UÇK.

“Gjeneral Çeku është personi që kishte komandë dhe kontroll, dhe sikurse kemi diskutuar edhe më herët e kuptoj që ekziston një përkufizim ligjor në sistemin e drejtësisë ose gjykatave ndërkombëtare sa i takon komandës dhe kontrollit, ky përkufizim nuk është në të njëjtën linjë me atë si e kupton këtë term NATO-ja. NATO-ja e kuptonte se ti ke komandë, jep urdhra, ndërkohë personi që kryen këto aspekte, duhet të ketë komandë dhe kontroll...Dikush mund të kishte kontroll por jo komandë, dhe persona që kishin kontroll dhe komandë. Sa i takon aspektit kontrollit dhe komandës së UÇK-së, këtë kontroll dhe komandë e kishte Agim Çeku, Thaçi kishte komandë por jo domosdoshmërisht kontroll. Ai mund të lëshonte udhëzime, por a siguronte dot zbatimin e tyre...”, tha ai.

...........................................................................................

Hagë: Gjenerali Jackson kishte thënë se nuk ka prova që UÇK-ja të ketë pasur praktikë të spastrimit etnik të serbëve

Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, po vazhdon edhe sot, më 23 shtator, dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë. Në ditën e dytë të dëshmisë së tij ai u përgjigj në pyetjet e Prokurorisë, pyetjet shtesë të mbrojtjes dhe po vazhdon të intervistohet nga trupi gjykues.

Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, tha se në Kosovë nuk kishte ushtri të organizuar.

“Në Kosovë nuk ekzistonte një ushtri e organizuar, por pavarësisht saj, pjesa e organizuar ose pjesa e vetme në aspektin realist që qëndronte pas qeverisë së vetëshpallur, ishte krahu ushtarak, dhe ne e shpërbëmë këtë, ne përmbushëm aspiratat e tyre dhe e kuptuan që ishte në interesin e tyre të bëhej një gjë e tillë. Duke e bërë këtë në mënyrë të suksesshme ne i bindëm ata që të realizonin ata që donim ne, që ishte çarmatimi”, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësit Barthe, dëshmitari tha se situata pas 21 qershorit në Kosovë nuk ishte situatë luftimesh por më tepër “shqetësime civile që shfaqeshin”.

“Serbia kishte një arkitekturë të plotë shtetërore, pra kishte instanca, kishte shërbim publik, shërbim policor, kishte ministri të drejtësisë, ndërkohë që në rastin e qeverisë së përkohshme të Kosovës nuk kishin asnjë infrastrukturë mbështetëse, as ligjërisht, as praktikisht. Ky ishte problem kryesor, dhe problem tjetër ishte që nuk ekzistonte një strukturë që mund të vinte në jetë, që mund të zbatonte udhëzimet, sepse zotëri Thaçi mund të jepte një udhëzim por nga ana tjetër nuk kishte legjitimitet demokratik, shteti që ai pretendonte të përfaqësonte nuk ekzistonte në fakt, nuk kishte shërbim publik, nuk njihej nga askush, kishte kufizim gjeografik, kaq kishte, asgjë tjetër”, tha ai.

Në këtë seancë u paraqit një deklaratë e mëparshme e ish-komandantin të KFOR-it në Kosovë, gjenerali Mike Jackson, e dhënë në Londër. Avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli, e citoi të ketë thënë se nuk ka prova që UÇK-ja ka kryer dhunë ndaj serbëve.

Pjesë nga seanca:

Mbrojtja: Gjenerali Jackson thotë po ju them që nuk kam prova që nga pikëpamja institucionale UÇK-ja të ketë pasur praktikë të spastrimit etnik të serbëve që kishin mbetur aty. Pajtoheni me vlerësimin e tij?

Duncan: Po, pajtohem.

Mbrojtja: Për aq sa keni dijeni, a i ka raportuar ndonjëherë gjenerali Jackson komandës së NATO-s se Hashim Thaçi ka drejtuar apo ka kryer akte dhune ndaj civilëve?

Duncan: Jo, me sa jam unë në dijeni.

Paraprakisht, për disa minuta, pyetje për Duncan shtroi edhe mbrojtja e Rexhep Selimit, por në seancë private.

.................................................................

Dëshmitari britanik pyetet për Veselin: Ishte person me funksion të lartë në zbulim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon dëshmia e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, të dëshmojë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai përsëriti se nuk ka pasur dëshmi për dhunë të organizuar nga shqiptarët menjëherë pas luftës në Kosovë.

Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, u intervista të martën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila e pyeti atë për disa persona. Dëshmitari tha se nuk i kujtohen emrat e të gjithë komandantëve të zonave.

Gjatë paraqitjes në ekran të disa fotografive, prokurori Matthew Halling e shfaqi edhe një të Kadri Veselit. Britaniku tha se nuk ia dinte emrin por e dinte se ishte person me funksion të lartë në zbulim.

Pjesë nga seanca:

Duncan: Është me sa më kujtohet një nga njerëzit me funksion të lartë, në funksionin policor dhe të zbulimit.

Prokurori: Si e dini një gjë  të tillë?

Duncan: Nuk ua them dot.

Prokurori: Nëse do të them që ky është Kadri Veseli, a ke arsye për ta kundërshtuar?

Duncan: Nuk kam arsye për ta kundërshtuar.

Prokurori e pyeti atë edhe për Xhavit Halitin, për të cilin dëshmitari tha se ishte person me interes të veçantë por për këtë ai vazhdoi të përgjigjej në seancë private.

Fotografitë që nxori prokuroria në ekran ishin nga një video e takimit që ishte mbajtur në mes të qershorit 1999, ku kishte marrë pjesë edhe vetë ish-këshilltari i Wesley Clark.

Gjatë paradites, seanca kaloi disa herë në sesion privat.

Dëshmitari, ndër të tjera tha se nuk i kujtohen emrat e të gjithë komandantëve

“Ju po më pyesni nëse mund të identifikoj individë, nuk isha atje për të thënë a i kemi të gjithë komandantët e zonave këtu. Ceku na kishte thënë që duhej të ishin të pranishëm komandantët e zonave, kaq më tha, pra unë kam menduar që ai kishte sjell të gjithë komandantët, nëse nuk i kishte sjell do të më thoshte që nuk është këtu njëri prej komandantëve të zonave”, tha ai duke folur për takimin e qershorit që e kishte zhvilluar me UÇK-në në vitin 1999.

Dëshmitari u pyet edhe për situatën menjëherë pas luftës në Kosovë dhe ai sërish theksoi se nuk ka pasur dëshmi që shqiptarët kanë kryer dhunë të organizuar.

“Ne nuk kemi pasur dëshmi se ka qenë dhunë e organizuar”, tha ish-diplomati britanik.

Të hënën, ​ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, në fillim të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, foli për rolin e tij në Kosovë. Ai tha se detyra e tij ishte ta informonte Clarkun - gjeneralin që udhëhoqi fushatën bombarduese kundër caqeve serbe në vitin 1999.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai tha se se nuk ka parë komunikata të UÇK-së ku të jenë përmendur ekzekutime. Gjithashtu, theksoi se nuk ka pasur dëshmi se ka ekzistuar një Shtab i Përgjithshëm sipas pikëpamjeve ushtarake.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit të hënën, ai tha se Thaçi shihej si politikan dhe jo komandant i UÇK-së.

“Asnjëherë nuk e kam parë të jepte direktiva apo urdhra, ishte qartë që kishim të bënim me dy lloj njerëzish, e para, kishim të bënim me ushtarakun apo oficerin e nivelit të lartë, dhe e dyta ishte politikani. Kjo ishte përshtypja që më është krijuar mua", tha ai.

Ai gjithashtu tha se UÇK-ja nuk kishte strukturë hierarkike.

Dëshmia e tij vjen pasi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Williams.

Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi një javë më parë, më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të  tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

https://kosovapress.com/gjykimi-ndaj-ish-krereve-te-uck-se-nis-deshmia-e-britanikut-john-stewart-duncan


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026