Cila është historia e rrëzimit të shtëpive në Ujman “që i kishte menaxhuar” Srbijashume
3-Third
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Cila është historia e rrëzimit të shtëpive në Ujman “që i kishte menaxhuar” Srbijashume
rrenimet ne ujman
21/07/2026 - 17:43
Linku u kopjua

Rrënimi i 11 shtëpive të pushimit në Ujman, që u bë të martën, nuk ishte aksioni i parë i kësaj natyre, që u realizua me kërkesë të ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc në këtë zonë të Kosovës.

Kjo kompani, kishte inicuar kësi veprime që nga prilli, duke liruar prona për të cilat insiston se janë të sajat, në hapësirat përgjatë liqenit. Në fazën e parë ishin rrënuar pesë shtëpi pushimi në Çeçevë, ndërsa më 10 qershor, me asistimin e Policisë së Kosovës, ndërmarrja mori nën kontroll kampin turistik “Rezala”, për të cilit thotë se ka dëshmi se ndodhet në parcelat e saj.

Portali Zubin Potok Info kishte raportuar se pronari i kampit e kundërshtoi këtë veprim, duke deklaruar se prona ishte blerë në vitin 2013 dhe se çështja tashmë është në procedurë gjyqësore.

Në një deklaratë të disa ditëve me parë për këtë medium, një nga pronarët e shtëpive të pushimit që u rrënuan të martën, kishte pohuar se objektet disponojnë dokumentacion të marrë nga kompania "Srbijashume" në vitin 2006.

"Ndërtimi i disa shtëpive filloi në vitin 2007, i disa të tjerave më vonë, ndërsa disa nuk përfunduan kurrë. Bëhet fjalë për 11 objekte. 'Ibër-Lepenc' e bëri këtë kërkesë tani, ndërkohë që çështja po trajtohet në kadastër në lidhje me pyjet e Kosovës", ka thënë ai, transmeton KosovaPress. “Nuk e dimë pse dhe si e mori nën kontroll 'Ibër-Lepenci”.

Kur bëhet fjalë për këto shtëpi, më 3 korrik, “Ibër-Lepenc” u dërgoi njoftime pronarëve të tyre, duke u kërkuar që brenda 15 ditësh të lirojnë pronat, të largojnë objektet dhe ta kthejnë tokën në gjendjen e mëparshme, me arsyetimin se ato janë ndërtuar në parcelat e ndërmarrjes. Në njoftime paralajmërohej se, në rast të mosrespektimit të afatit, do të ndërmerreshin veprime ligjore dhe do të angazhoheshin Policia e Kosovës dhe inspektorati.

Pronarët ndërkohë nisën procedura gjyqësore, duke pretenduar se posedojnë dokumentacion pronësor të bazuar në kontrata të mëhershme me ndërmarrjen “Srbijashume”.

Më 14 korrik, organizata joqeveritare Aktiv organizoi në Zubin Potok një tryezë me temën “Dialog mbi çështjet pronësore në zonën e Liqenit të Ujmanit”, ku morën pjesë drejtori i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Milosh Peroviq, pronarët e objekteve dhe përfaqësues të tyre ligjorë.

Në këtë takim u diskutua për bazën ligjore të rrënimeve dhe mungesën e vendimeve gjyqësore. Kryetari Peroviq deklaroi se komuna nuk ka dhënë pëlqim për rrënimin e objekteve dhe se, sipas njohurive të tij, nuk ekziston një vendim gjykate që do ta autorizonte një veprim të tillë. Në takim u diskutua edhe rasti i kampit “Rezala” dhe pretendimet e pronarëve se janë dëmtuar të drejtat e tyre pronësore.

Kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka kishte thënë se aksionet në këtë pjesë të Kosovës nuk u bënë vetëm për faktin se ato ndodhen në veri.

"Duhet theksuar se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Komunën e Zubin Potokut, por me të gjitha komunat ku ndodhet infrastruktura e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike 'Ibër-Lepenc' Sh.A.", kishte deklaruar atëherë Mujka.

Disa nga pronarët që folën në këtë tubim kishin thënë se ata, pos me letra, ishin njoftuar edhe gojarisht nga ‘persona të panjohur” për rrënimet, nëse objektet që i kanë bërë ata, nuk lirohen. /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026