Gati gjysma e kosovarëve besojnë se vendi i tyre mund të bëhet anëtar i BE-së, brenda pesë vjetëve të ardhshme, 3 për qind e popullatës besojnë se kjo nuk do të ndodh kurrë, ndërsa 26 për qind besojnë se pengesë kryesore për integrim është mungesa e vullnetit politik në Kosovë.
Këto janë vetëm tri nga shumë të dhënat interesante që dolën nga gjetjet e sondazhit vjetor 2026 për Kosovën, mbi përceptimet ndaj Bashkimit Evropian, i realizuar në kuadër të programit WeBalkans.
Sipas raportit, 68 për qind e qytetarëve thonë se ndihen të mirë-informuar ose disi të informuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Derisa 48 për qind e të anketuarve besojnë se Kosova mund të bëhet anëtare e BE-së brenda pesë viteve të ardhshme, pjesa tjetër prej 32 për qind mendojnë se kjo do të ndodhë brenda periudhës prej pesë deri në 15 vjet. Vetëm 3 për qind vlerësojnë se Kosova nuk do të bëhet kurrë pjesë e Bashkimit Evropian.Sa i përket pengesave kryesore për integrimin evropian, 40 për qind e qytetarëve konsiderojnë korrupsionin e përhapur si sfidën më të madhe. Më pas renditen mungesa e interesit të BE-së për ta pasur Kosovën anëtare me 27 për qind dhe mungesa e vullnetit politik në Kosovë me 26 për qind.
Raporti evidenton gjithashtu nivel të lartë besimi ndaj Bashkimit Evropian. Rreth 83 për qind e qytetarëve deklarojnë se i besojnë BE-së, ndërsa 64 për qind kanë një imazh pozitiv për unionin evropian.