“Studentët në bllokadë” të Fakultetit Juridik në Novi Sad janë shqetësuar nga vizita e presidentit shqiptar, Bajram Begaj në Luginë të Preshevës, më 8 korrik, duke pyetur, siç kanë bërë në një reagim, nëse kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përgatit terrenin për të “shitur edhe një pjesë të territorit të Serbisë”
Në reagimin e tyre, të titulluar “Tradhti e lartë nën velin e territ informativ”, studentët, të cilët janë pjesë e grupimit kundër Vuçiq, qe gati dy vjet, kritikuan mediat pro qeveritare, duke thënë se ato nuk raportuan për vizitën e Begajt në Bujanoc dhe Preshevë.
Studentët kanë ngritur edhe pyetjen tjetër “pse asgjë nga kjo nuk mund të shihej apo lexohej në mediat pro regjimit (dhe, rrjedhimisht, as në RTS)?” .
‘Nga çfarë kanë frikë dhe a po përgatitet terreni që Aleksandar Vuçiq të shesë edhe një pjesë të shtetit serb?”, pyetën ata. “Kjo qeveri edhe një herë po dëshmon se është tradhtare, ndërsa presidenti i Serbisë po tregon se nofka që i kanë vënë qytetarët e Serbisë i përshtatet plotësisht”.
Lidhur me këtë çështje reagoi edhe Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se Bajram Begaj kishte marrë të gjitha lejet e nevojshme nga autoritetet serbe për vizitën në jug të Serbisë.
“Ata kërkuan rregullisht dhe morën të gjitha lejet nga autoritetet serbe. Bëhet fjalë për presidentin e Shqipërisë, jo për presidentin e diçkaje (dikujt) tjetër”, tha presidenti serb.