Burri që autoritetet thonë se u përpoq të hynte e të sulmonte me armë zjarri dhe thika, gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve (gazetarëve) që raportojnë nga Shtëpia e Bardhë, u akuzua të hënën për tentativë vrasjeje të Presidentit Donald Trump.
I njëjti do të mbetet në paraburgim ndërsa çështja vazhdon, raporton Associated Press, përcjellë KosovaPress.
Cole Tomas Allen u paraqit në gjykatë të hënën për t’u përballur me akuzat federale pas një përplasjeje kaotike, të shtunën në mbrëmje, ku pati edhe të shtëna me armë.
Presidenti Trump, që ishte i pranishëm në këtë darkë, u largua me urgjencë nga skena, sikur edhe zëvendësi i tij, JD Vance. Të pranishmit tjerë u strehuan poshtë tavolinave.
Përveç akuzës për tentativë vrasjeje të presidentit republikan, Allen përballet edhe me dy akuza për armë zjarri.
Një nga avokatet e tij, Tezira Abe, kërkoi një seancë për paraburgimin dhe theksoi se klienti i saj nuk ka precedent penal.
“Ai gjithashtu prezumohet i pafajshëm në këtë moment,” tha ajo.
Prokurorët nuk kanë zbuluar motivin, por në një mesazh të shqyrtuar nga AP, që autoritetet thonë se Allen ua dërgoi familjarëve, pak minuta para sulmit, ai e quante veten “Vrasës Federal Miqësor”, bënte referenca të përsëritura për presidentin republikan, pa e përmendur me emër dhe aludonte për pakënaqësi ndaj një sërë veprimesh të administratës së Trumpit.
Hetuesit po i trajtojnë këto shkrime, së bashku me postimet në rrjetet sociale dhe intervistat me familjarët, si disa nga provat më të qarta për gjendjen mendore dhe motivet e mundshme të të dyshuarit.
Allen, 31 vjeçar, besohet se ka udhëtuar me tren nga Kalifornia në Çikago dhe më pas në Uashington, ku u regjistrua si mysafir në hotelin ku mbahej darka gala, tha ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm Todd Blanche.
“Duket se ai në fakt kishte si qëllim të synonte persona që punojnë në administratë, me shumë gjasë përfshirë edhe presidentin,” tha Blanche për emisionin “Meet the Press” të NBC të dielën.