Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një inspektor nga Inspektorati i Ndërtimit në Komunën e Prizrenit nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndërtimin e një objekti në fshatin Landovicë.
Sipas policisë, nga dëshmitë e rastit është siguruar dyshimi i arsyeshëm se inspektori përgjegjës i ndërtimit nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura ligjore, ‘duke lejuar që pronari ta modifikoj objektin, dhe gjithashtu ka dështuar për të ekzekutuar konkluzionin për rrënim duke ndërmarrë vetëm parcialisht rrënimin’.
“Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe i njëjti me aktvendim mbi ndalimin është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore, ‘në lidhje me rastin janë siguruar dëshmi se pronari i objektit posedon leje ndërtimi për një projekt, ndërsa pas fillimit të punimeve i njëjti ka devijuar ndërtimet’.