Katër grupe parlamentare në Kuvendin e BE-së mirëpritën miratimin e djeshëm në këtë institucion të rezolutës së “hidhur” për Serbinë, të hartuar nga grupi të cilit i ka prirë kroati Tonino Picula.
Partia Popullore Evropiane (EPP) që përbën grupin më të madh në PE, doli me qëndrimin se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian bazohet në merita dhe varet nga zbatimi i reformave të vërteta.
Në deklaratën e grupit të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), që është grupi i dytë më i madh në Parlamentin Evropian, thuhet se qytetarët e Serbisë janë të interesuar dhe angazhohen për demokraci dhe për një të ardhme evropiane ndërsa potencohet që kryetari i këtij shteti nuk është se e bën të njëjtën gjë.
"BE-ja duhet të bëjë të njëjtën gjë. Nuk duhet të ketë më para të BE-së për prapambetjen demokratike të Vuçiqit. Nuk duhet të ketë më tolerim për zgjedhjet politike antievropiane. Nuk duhet të ketë më shpërblime për reforma të rreme. Çdo gjë më pak se kaq do të ishte një gabim i madh", vlerëson S&D."BE-ja nuk do ta shpërblejë prapambetjen. Anëtarësimi duhet të fitohet me meritë, e jo të jepet si dhuratë."
Bashkëkryetarja e grupit të të Gjelbërve, Vula Tsetsi tha pas miratimit të rezolutës se “çdo lëshim ndaj autoriteteve të Serbisë, pa reforma të mirëfillta demokratike, u dërgon qytetarëve të këtij vendi mesazhin se lufta e tyre për demokraci është më pak e rëndësishme sesa interesat afatshkurtra gjeopolitike".