Serbia ka marr edhe një goditje të rëndë ndërkombëtare, të premten.
Madje, kah nuk e priste hiq.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka shprehur shqetësim të thellë për përkeqësimin e gjendjes së lirive qytetare në Serbi, duke theksuar kufizimin në rritje të hapësirës demokratike dhe presionin ndaj mediave dhe zërave kritikë.
Kritikat e tij vijnë vetëm pak ditë pas zgjedhjeve lokale në Serbi, ku siç raportohet, të cilat, të paktën në dhjetë vende u shoqëruan me shumë parregullsi.Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut veçoi gjithashtu shtypjen e lirisë së mediave.
“I bëj thirrje autoriteteve të garantojnë të drejtën për lirinë e shprehjes dhe tubimit paqësor dhe të mbështesin lirinë e mediave. Duhet të ndërmerren hapa konkretë për të rikthyer besimin e publikut në institucione dhe sundimin e ligjit, duke siguruar hetime transparente, në kohë dhe të paanshme për shkeljet e supozuara të të drejtave të njeriut dhe përgjegjësi për çdo parregullsi”, tha Türk.
Sipas Branka Latinoviq, ish-ambasadore e Serbisë në OSBE, reagimi i Komisionerit të Lartë të OKB-së dhe vetë toni i deklaratës së tij për gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi, veçanërisht për të drejtat politike dhe kufizimin e tyre, është diçka që duhet të shqetësojë seriozisht pushtetin.
Edhe një ish ambasador tjetër i Serbisë, Sreçko Gjukiq tha se regjimi i Vuciq është bërë problem global.
“Serbia nuk ka marrë asnë mësim nga paralajmërimet e vazhdueshme për shkeljet e të drejtave të njeriut që vijnë edhe nga BE, Këshilli i Evropës dhe OSBE. Qeveria vazhdon në të njëjtën mënyrë dhe bie në një kurth duke u bërë problem i përhershëm në tryezën diplomatike, si regjimet në Bjellorusi, Rusi, Korenë e Veriut, Iran…”, tha ai. “Jemi dëshmitarë se si të drejtat dhe liritë qytetare kufizohen gjithnjë e më shumë në zgjedhje, media dhe veprimtari opozitare, me përdorim gjithnjë e më të madh të forcës dhe mungesë tolerance ndaj çdo mendimi kundër pushtetit. Nuk duhet shumë largpamësi për të kuptuar se situata po përshkallëzohet dhe zgjidhja po afrohet. Sa më shumë fronte hap pushteti për të shtypur liritë, aq më shumë tregon dobësinë dhe kufizimin e vet në kohë”.