Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka kërkuar mbështetje më të madhe ndërkombëtare për projektet infrastrukturore të Kosovës, me theks të veçantë në sektorin hekurudhor,.
Në një panel diskutimi së bashku me homologët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e Investimeve në Transport, që u mbajt të enjten në Selanik të Greqisë, ai theksoi vendi ka një vizion të qartë për zhvillimin e infrastrukturës dhe se projektet hekurudhore të Kosovës kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për lidhshmërinë rajonale dhe interesat strategjike të Evropës.
Sipas tij, përkrahja e vazhdueshme e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partnerëve zhvillimorë mbetet thelbësore për realizimin e projekteve strategjike që avancojnë lidhshmërinë rajonale dhe integrimin e Kosovës në rrjetet evropiane të transportit.
Në panel morën pjesë edhe Komisioneri Evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, ministri grek i Infrastrukturës dhe Transportit, Christos Dimas, si dhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Investime (BEI) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe).
Ndërkaq, numri dy i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Robert de Groot, tha se lidhshmëria efektive është thelbësore për një Evropë konkurruese dhe të integruar, duke nënvizuar se projektet e transportit ndihmojnë në forcimin e tregtisë, investimeve dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek, organizatë kjo që e organizoi këtë samit tha se rajoni tashmë ka përcaktuar prioritetet dhe është përafruar me standardet e BE-së, por tani “duhet të kalojmë nga hartat dhe planet në zbatim të shpejtë”, duke kërkuar projekte më të përgatitura, institucione më të forta dhe financim të koordinuar.