Berisha pretendon presion ndaj votuesve në Brestovik, Prokuroria nuk gjen elemente të veprës penale
Lajme
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Berisha pretendon presion ndaj votuesve në Brestovik, Prokuroria nuk gjen elemente të veprës penale
Veton-Berisha
07/06/2026 - 14:33
Linku u kopjua

Kandidati për deputet Veton Berisha ka denoncuar në Polici atë që e ka cilësuar si presion ndaj votuesve në fshatin Brestovik të Pejës, duke pretenduar se ministri në detyrë Elbert Krasniqi dhe persona të tjerë kanë qëndruar pranë shtëpive të qytetarëve në orët e hershme të mëngjesit të ditës së zgjedhjeve.

Berisha tha se ka pranuar telefonata nga banorë të fshatit, të cilët sipas tij, janë ndier të shqetësuar dhe nën presion nga prania e personave të panjohur, në mesin e të cilëve pretendon se ishte edhe ministri në detyrë.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit kam marrë disa telefonata ku banorët e fshatit Brestovik të komunës së Pejës kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak që në momentin që janë zgjuar, ose akoma pa u zgjuar disa prej tyre, kanë hasur në persona të cilët për ta, për pjesën më të madhe kanë qenë të panjohur, po në mesin e tyre ka qenë edhe vetë ministri. Edhe sigurisht që këta e kanë paraqitur shqetësimin e tyre për faktin që ata janë ndjerë të, nën presion, edhe në njëfarë mënyre kanë ardhur për herë të parë, duke i detyruar në një formë për të dalë për të votuar edhe normalisht prezenca e tyre ka qenë një situatë tepër e pasigurt”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se prania e kandidatëve në zonat ku jetojnë votuesit në ditën e zgjedhjeve është e papranueshme dhe përbën shkelje të rregullave zgjedhore.

Berisha: Ne e kemi pasur fushatën zgjedhore, kemi pasur mundësi me i bindur popullatën

Video:

“Nuk ka asnjë arsye që një ministër, i cili ka qenë gjashtë vite zëvendësministër, që në ditën e zgjedhjeve të jetë në oborret e njerëzve për t'i bindur ata. Ne e kemi pasur fushatën zgjedhore, kemi pasur mundësi me i bindur popullatën, dhe normalisht sot do të duhej të ishte vetëm ditë votimi. Kjo është shqetësuese. Normalisht unë e kam shqyrtuar te e drejta, sepse konsideroj që është bërë shkelje ligjore, shkelje e rregulloreve të zgjedhjeve dhe është shkelur heshtja zgjedhore për shkak se në ditën e zgjedhjeve nuk kemi të drejtë me dalë para votuesve. Dhe normalisht është momenti i fundit që të ndalet kjo formë e presionit tek njerëzit”, tha ai.

Berisha deklaroi se ka dhënë dëshminë e tij para organeve të rendit dhe se janë siguruar edhe pamje që, sipas tij, tregojnë persona të uniformuar në vendngjarje.

“Unë jam denoncuesi, unë e kam dhënë deklarimin tim dhe kanë ardhur dëshmitarët dhe e kanë deklaruar, kemi pamje, kemi siguruar pamje ku shihen persona, madje të uniformuar. Si duket truproja e ministrit ka qenë në një uniformë, edhe ajo pamje ka qenë e trishtuese dhe e papranueshme për banorët. Dhe unë vetëm e kam bërë punën time, e kam denoncuar, edhe tash u mbetet organeve të drejtësisë me thënë fjalën e tyre”, u shpreh ai.

Ai tha se dy dëshmitarë janë intervistuar dhe se pret që institucionet të parandalojnë çdo formë presioni apo ndikimi ndaj votuesve.

Megjithatë, Policia e Kosovës bëri të ditur se pas trajtimit të rastit dhe konsultimeve me prokurorin e shtetit nuk janë gjetur elemente të veprës penale.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha se policia ka kontaktuar ankuesin, ka intervistuar dy dëshmitarët e propozuar prej tij dhe ka vepruar në koordinim të plotë me prokurorin.

“Po një rast ka qenë, do të thotë një ankues është paraqitur në stacionin policor në Pejë dhe ka denoncuar një rast për një qytetar në një fshat i cili u bën presion, sipas tij, fshatarëve për të votuar. Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje, ka filluar ta trajtojë rastin. Rastin e kanë trajtuar hetuesit rajonalë në koordinim me prokurorin e shtetit. Pas përfundimit të procedurave prokurori ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale për t'u inicuar rast. Rasti mbetet me shënim zyrtar. Rasti vazhdon të hetohet prapë”, ka thënë Gashi.

Togeri Gashi konfirmoi se tashmë është intervistuar edhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Kransiqi dhe denoncuesi i rastit, Veton Berisha si dhe dëshmitarët e rastit.

Ndërkaq, lidhur me raportimet për vendosjen e një flamuri serb në qendrën e votimit në Gorazhdec, Policia për Rajonin e Pejës konfirmuan se flamuri ka qenë i vendosur, por është larguar nga stafi i shkollës brenda një kohe të shkurtër dhe jo nga zyrtarët policorë.

Ndërkohë, Policia njoftoi se procesi zgjedhor në rajonin e Pejës po zhvillohet pa probleme të theksuara. Sa i përket raportimit për një flamur serb të vendosur pranë qendrës së votimit në Gorazhdevc, Rugova tha se ai ndodhej në objektin e kishës ortodokse dhe jashtë oborrit të shkollës ku votohej, prandaj nuk është larguar nga policia.

KosovaPress


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026