“Zëri i ndërgjegjes kombëtare”, Konjufca reagon për ndarjen nga jeta të Rexhep Qosja
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
“Zëri i ndërgjegjes kombëtare”, Konjufca reagon për ndarjen nga jeta të Rexhep Qosja
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka reaguar pas vdekjes së Rexhep Qosjes, duke thënë për më shumë se gjysmë shekulli Rexhep Qosja ishte zëri i artikuluar me konsistencë i ndërgjegjes sonë kombëtare.
Konjufca i ka shprehur ngushëllime familjes dhe të gjithë miqëve të Qosjes, duke thënë se ishte progresiv me bindje, egalitar në qëndrime, gjithnjë kombëtar në veprime dhe humanist në vlera.
Sipas tij, Rexhep Qosja ka zënë vend si një nga figurat më të rëndësishme të kombit tonë
Komenti i plotë i Konjufcës:
Para pak minutash kombi shqiptar kudo që jeton me pikëllim të thellë e mori lajmin për ndarjen nga jeta të Rexhep Qosjes. Na la edhe kolosi ynë i fundit intelektual.
Për më shumë se gjysmë shekulli Rexhep Qosja ishte zëri i artikuluar me konsistencë i ndërgjegjes sonë kombëtare. Shkencëtar, shkrimtar, akademik, profesor, veprimtar dhe kritik - kontributi i tij për studimin e letërsisë shqipe si dhe pasurimi i saj me vepra letrare si autor do të jetojnë gjithmonë.
Ai kurrë nuk u mjaftua vetëm me punën shkencore të kabinetit. Gjatë viteve '80, në atë kohë kur ne ishim "popull i ndaluar", profesor Qosja u shqua me guximin e tij të palëkundur për demaskimin e hapur të shtypjes së Serbisë mbi popullin shqiptar.
Kur erdhi koha e domosdoshmërisë së luftës së armatosur kundër okupimit Rexhep Qosja e kishte të qartë: vetëm mbështetja e UÇK-së na rreshton në anën e duhur të historisë.
Progresiv me bindje, egalitar në qëndrime, gjithnjë kombëtar në veprime dhe humanist në vlera - Rexhep Qosja ka zënë vend si një nga figurat më të rëndësishme të kombit tonë. I tillë do të kujtohet gjithnjë për veprën dhe veprimtarinë e tij e cila prej sot do te studiohet me përqendrim edhe më të madh.
Ngushëllime familjes, miqve e bashkëpunëtorëve! Ngushëllime kombit shqiptar!
U prehtë në paqe!
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.