Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë rezultat dyshifror në zgjedhjet e 7 qershorit, thotë anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Besnik Tahiri. Sipas tij, kjo parti do të jetë befasia e zgjedhjeve, për rezultatin pozitiv që do ta arrijë, e jo për kalimin “për një fije peri” të pragut elektoral prej 5 për qind.
Tahiri në një intervistë për KosovaPress thotë se AAK-ja do të dalë shumë mirë në votime për shkak se po garon si parti e konsoliduar dhe me risi në listën zgjedhore.
Tahiri tha se edhe mandatari për kryeministër i AAK-së, Ardian Gjini, i ka dhënë një shtysë shtesë frymës pozitive për Aleancën, gjithandej Kosovës.
“Aleanca e ka bukur jetike me dalë në rezultat dyshifror. Unë jam i bindur që rezultati ynë në këto zgjedhje do të jetë dyshifror, që si aleancë do të tregojmë që jo vetëm që nuk garojmë për gjashtë deputetë... Mirëpo garojmë me një ekip bukur të fortë, e cila do të jetë befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve”, shton ai.“Zakonisht procedura, qysh është në Këshillin Drejtues, lista fillimisht aprovohet si listë alfabetike. Pastaj ajo renditja nuk e ka shumë rëndësi. Një e dimë saktë, që i prin Gjini, që kryetari Haradinaj deputetë, ndoshta ekskluzive është që do të jetë Bali Muharremaj në listë, do të garojë, diçka si më la shumë përshtypje të mirë. Pastaj në listë, do të thotë, do të jetë edhe Dauti. Në listë, do të thotë, janë një ekip i njerëzve të cilëve nuk ua di numrat se nuk e di as numrin tim. Nuk e di, për shkak se numrat nuk i di as numrin tim. Edhe po them me përgjegjësi. Ajo është një diskutim pastaj që bëhet, për shkak se ka një rrjedhë të numrave. Kriteri themelor për numër është gjithsesi vota. Mirëpo përveç votës, janë edhe prurjet e reja, njerëz që kanë ardhur të cilët nuk i kam diskutuar. Mirëpo ajo që mund të them është kjo listë, e shihni edhe vetë, do të jetë listë me të vërtetë konkurruese”, shton ai.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, shpeshherë në Kuvendin e Kosovës ka qenë i ashpër në deklaratat e tij ndaj kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurti, duke e quajtur “hajn dhe mashtrues”.
AAK në zgjedhjet e fundit, ato të 28 dhjetorit 2025 ka qenë pak përmbi pragun zgjedhor me 5.5 për qind, apo gjashtë deputetë në Kuvendin e Kosovës./E.Zeqiri/