Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk identifikuan një figurë unifikuese për kandidat për president të vendit, duke bërë që shteti të organizojë zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë.
Një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se blloku evropian vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin një president të ri të vendit brenda afatit kushtetues dhe, në bazë të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi u shpërnda më 28 prill.
Tani, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pas takimitme partitë politike – që do të mbahet sot – do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.Natën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet tërhoqi dy kandidaturat partiake, përkatësisht emrin e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut, dhe më pak se një orë më vonë prezantoi dy kandidate për presidente, që të dyja aktiviste për të drejtat e njeriut: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Por, partitë opozitare nuk morën pjesë në seancën plenare që nisi mbrëmjen e 27 prillit dhe përfundoi mesnatën e 28 prillit – kur ishte edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti - në këtë rast LVV - t’i kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
Më pas, Kurti u ka kërkuar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme.
Afati i 28 prillit erdhi pasi më 5 mars, LVV-ja nisi seancën për votimin e Konjufcës dhe Kollçakut, por e ndërpreu atë për shkak të mungesës së kuorumit.