Barcelona është pranë finalizimit zyrtar të transferimit të Karim Adeyemit nga Borussia Dortmundi, me sulmuesin gjerman që pritet të prezantohet si futbollist i ri i klubit katalanas.
Marrëveshja mes Barcelonës dhe Dortmundit ishte arritur më shumë se një javë më parë, ndërsa Adeyemi tashmë ka mbërritur në qytet. Megjithatë, njoftimi zyrtar ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të presidentit Joan Laporta dhe drejtorit sportiv Deco, të cilët ndodheshin në Shtetet e Bashkuara për fazat e fundit të Kupës së Botës.
“Do ta prezantojmë nesër”, ka deklaruar Laporta.
Sulmuesi anësor gjerman tashmë ka kryer testet mjekësore në fundjavën e kaluar, ndërsa me rikthimin e drejtuesve të klubit pritet të përfundojnë edhe procedurat e fundit administrative.Transferimi i Adeyemit pritet t’i sjellë Barcelonës më shumë shpejtësi, depërtime dhe aftësi për të sulmuar hapësirat. Gjermani mund të luajë në krahë, por edhe në qendër të sulmit, duke i dhënë Flickut më shumë alternativa taktike.
Ardhja e tij gjithashtu rrit konkurrencën në repartin ofensiv, duke i mundësuar trajnerit gjerman më shumë mundësi për rotacion gjatë një sezoni të ngarkuar.
KosovaPress