Qyteti historik i Prizrenit është gati të mirëpresë edicionin e pestë të PrizrenFest – Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur, i cili nga 21 deri më 27 korrik do ta shndërrojë qytetin në një skenë të madhe artistike, ku teatri, vallëzimi, muzika, performanca dhe hapësirat publike bashkohen në një përvojë të veçantë kulturore.
Drejtori i Përgjithshëm i PrizrenFest, Shkelzen Veseli thotë se edicioni i pesë shënon një moment të rëndësishëm në konsolidimin e festivalit si një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore dhe kulturore në rajon.
Drejtori Artistik i PrizrenFest, Adrian Morina, thekson se edicioni i pestë është ndërtuar mbi idenë se teatri nuk është vetëm argëtim, por edhe një hapësirë reflektimi, kujtese dhe dialogu.

Edicioni i pestë do të hapet me spektaklin ndërkombëtar "Borderless Body", një performancë magjike e teatrit fizik dhe vallëzimit bashkëkohor, e interpretuar nga 16 performues, të cilët do të ngjiten në një skenë të ndërtuar enkas mbi Lumbardh, duke krijuar një dialog unik mes trupit, ujit, dritës dhe arkitekturës së qytetit. Me një estetikë spektakolare dhe një gjuhë universale artistike, "Borderless Body" eksploron idenë e kufijve fizikë, emocionalë dhe shoqërorë, duke dëshmuar se arti është hapësira ku kufijtë humbin kuptimin. Nuk është rastësi që kjo performancë u zgjodh edhe për të hapur ceremoninë zyrtare të Kryeqytetit Evropian të Kulturës 2025, në qytetet Gorizia (Itali) dhe Nova Gorica (Slloveni). Tashmë, kjo vepër vjen në Prizren për të inauguruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e festivalit.
Programi i këtij viti sjell produksione që trajtojnë çështje sociale, historike dhe njerëzore, duke dëshmuar fuqinë e teatrit për të reflektuar mbi realitetin dhe për të krijuar dialog.
Një moment shume i rendesishem për festivalin dhe publikun kosovar do të jetë edhe ardhja për herë të parë në Kosovë e Teatrit Kombëtar të Stambollit, me komedinë klasike "Lysistrata" të Aristofanit. Me një kastë të përbërë ekskluzivisht nga aktore gra, kjo vepër ikonike rikthehet në skenë me një interpretim bashkëkohor që trajton luftën, paqen dhe fuqinë e grave përmes humorit dhe satirës.
Nga Madridi vjen produksioni "Última Planta", me regji të José Ëarletta, i cili do të interpretohet në ambientet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke krijuar një dialog mes teatrit bashkëkohor dhe një prej monumenteve më të rëndësishme të historisë shqiptare.
PrizrenFest vazhdon t'i kushtojë rëndësi të veçantë edhe publikut më të ri. Programi përfshin punëtori krijuese, aktivitete edukative dhe një seri shfaqjesh për fëmijë, të cilat do të hapen me baletin klasik "Liqeni i Mjellmave", duke krijuar një urë të bukur mes artit klasik dhe brezave të rinj.
"Nga një skenë e ndërtuar mbi lumin Lumbardh, te Burgu i Qytetit, Kisha Katolike 'Zoja Ndihmëtare', Autostrada Hangar, Parku i Qytetit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kej I Sinan Pashes ne kemi dashur që çdo hapësirë të flasë bashkë me artistët. PrizrenFest nuk është vetëm një festival shfaqjesh; është një mënyrë për ta jetuar qytetin ndryshe dhe për ta kthyer çdo cep të tij në një vend takimi mes artit dhe publikut”, thote drejtori artistik Adrian Morina.
Për vetëm shtatë ditë, PrizrenFest do të sjellë në qytet një intensitet të jashtëzakonshëm artistik, me mbi 20 ngjarje dhe qindra artistë që do ta bëjnë Prizrenin një pikëtakim të rëndësishëm të teatrit bashkëkohor në Evropën Juglindore.
Edicioni i pestë i PrizrenFest realizohet me mbështetjen e Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, sponsorit gjeneral Banka Ekonomike, si dhe një numri të madh partnerësh e biznesesh vendore që vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e artit dhe kulturës.
Një falënderim i veçantë u shkon Ambasadës së Italisë, Ambasadës së Francës, Ambasadës së Sllovenisë, Presidencës së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, partnerëve institucionalë, donatorëve dhe të gjithë mbështetësve që kanë bërë të mundur realizimin e këtij edicioni.