“Barazi ose revoltë”, komuniteti LGBTI marshon në zemër të Prishtinë
4-Fourth
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
“Barazi ose revoltë”, komuniteti LGBTI marshon në zemër të Prishtinë
0d4d8a03-f539-43ae-95b3-55b822b2ac5a
05/06/2026 - 16:53
Linku u kopjua

Në Prishtinë është mbajtur Parda e Krenarisë me moton “Barazi ose revolt”, ku përkrahës dhe pjesëtarë të komunitetit LGBTI marshuan në sheshet e kryeqytetit.

Pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe flamuj shumëngjyrësh, ndërsa në ballë të kolonës ishte vendosur një baner me mbishkrimin “Barazi ose revoltë”. Marshimi kaloi nëpër rrugët kryesore të Prishtinës dhe u zhvillua nën masa të shtuara sigurie.

Në këtë aktivitet morën pjesë aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut, si dhe qytetarë që mbështesin komunitetin LGBTI.

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe ambasadorë të huaj të akredituar në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e tyre për avancimin e të drejtave të njeriut.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë në marshim nuk morën pjesë përfaqësues institucionalë të vendit, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Gjatë paradës, pjesëmarrësit bënë thirrje për më shumë barazi, mbrojtje të të drejtave dhe trajtim të dinjitetshëm për këtë komunitet në Kosovë.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, duke folur për KosovaPress, theksoi se kjo ditë është një moment për të festuar lirinë dhe jetën e komunitetit LGBTI, duke i ftuar qytetarët të marrin pjesë sa më masivisht në paradë.

Ajo nënvizoi se nuk ka pengesa fizike objektive për organizimin e marshimit, por shtoi se klima politike dhe deklaratat e fundit të disa politikanëve gjatë fushatës kanë ndikuar që komuniteti të ndihet më i tërhequr dhe më pak i dukshëm në hapësirën publike.

Demolli: Sot festojmë lirinë

VIDEO: 00:13...

“Sot vetëm festojmë lirinë, sot e celebrojmë jetën e komunitetit, lirinë e komunitetit edhe sot ftojmë sa më shumë të dalin në paradë. Nuk kemi pengesa fizike objektive, por për shkak që jemi në fushatë, deklarimet e shumë politikanëve na bëjnë që komuniteti me një tendencë me qenë më i padukshëm” – ka thënë Demolli.

Ndërkohë, këngëtarja Adelina Ismajli, e cila performoi në këtë aktivitet, u shpreh krenare për qëndrueshmërinë e komunitetit, duke theksuar se kauzat e tyre vazhdojnë të jetojnë dhe të forcohen, si dhe duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite.

Ismajli:Krenari e madhe, mirënjohje për këta njerëz

VIDEO: 00:23...

“Shumë krenare. Jashtëzakonisht krenare që kauzat tona nuk kanë vdekë. Kjo më bën shumë krenare. Ta festojmë këtë ditë në mes, në zemër të Prishtinës, e pabesueshme. Krenari e madhe, mirënjohje për këta njerëz që qëndruan kaq shumë, kaq gjatë. Më gëzon fakti që kemi njerëz kaq të fortë” – tha Ismajli.

Organizatorja Blerta Kurti, deklaroi se mesazhi i kësaj dite është që secili të jetë vetvetja dhe të luftojë çdo ditë për identitetin e tij, duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të mbështesin komunitetin LGBT dhe institucioneve të angazhohen më shumë për përmirësimin e shërbimeve dhe ligjeve që i mbrojnë këto komunitete.

Kurti:Mesazhi im është t’i përkrahim anëtarët e komunitetit LGBT

VIDEO: 00:38...

“Mesazhi im sot është me qenë vetvetja, edhe çdo ditë me luftu për ata që jemi, po edhe një mesazh qytetarëve të Kosovës që me i përkrah anëtarët e komunitetit LGBT dhe ndaj institucioneve që me bo ma shumë për shërbimet dhe ligjet që mbrojnë komunitetet LGBT” – deklaroi Kurti.

Organizatorët theksuan se angazhimi për barazi dhe përfshirje duhet të vazhdojë, duke kërkuar hapa konkretë nga institucionet për garantimin e të drejtave të plota për komunitetin LGBTI.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026