Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar fundin e epidemisë së hantavirusit që u shfaq mes pasagjerëve të një anijeje turistike, pothuajse tre muaj pas regjistrimit të rastit të parë.
Tre persona humbën jetën dhe 13 të tjerë u infektuan pasi u ekspozuan ndaj virusit të Andeve, një lloj i rrallë i hantavirusit, gjatë një lundrimi me anijen MV Hondius. Anija kishte nisur udhëtimin nga Argjentina drejt Kepit të Gjelbër më 1 prill, përpara shpërthimit të epidemisë.
“Nga rastet e konfirmuara të shtruara në spital, tetë janë shëruar dhe janë larguar nga spitali, ndërsa dy, një në Afrikën e Jugut dhe një në Francë, mbeten ende të shtruar”, thuhet në njoftimin e OBSH-së.
Që nga 25 maji nuk janë raportuar raste të reja të lidhura me shpërthimin në anijen turistike.Megjithatë, OBSH theksoi se do të vazhdojë të punojë me qeveritë dhe partnerët për të kuptuar më mirë shkaqet e shpërthimit dhe vetë virusin.
OBSH falënderoi vendet që u përfshinë në reagimin ndaj situatës, përfshirë Argjentinën, Kepin e Gjelbër, Kilin, Holandën, Afrikën e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe Spanjën për ndihmën në evakuimin dhe riatdhesimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit në Tenerife.