Lidhja Demokratike e Kosovës insiston se njehsorët elektrikë nuk masin kohën mirë për tarifën e ulët gjatë natës.
Anëtar i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi tha se KEDS-i mbajti një konferencë për medie gjatë ditës, por sipas tij nuk dha përgjigje konkrete dhe nuk sqaroi problemin siç pritej. Ai thotë se kompania në fjalë po manipulon opinionin publik, duke i quajtur problemet me njehsorët vetëm “devijime të vogla teknike” dhe raste të izoluara, raporton KosovaPress.
“KEDS-i doli në konferencën e tyre të shumëpritur por nuk thanë asgjë. Nuk thanë asgjë nga ajo çfarë kishin thënë edhe në reagimin e parë, përpos një manipulimi tjetër me opinionin publik ku në fakt e pranojnë se ka pasur devijime me njehsorët elektrikë, por mundohen që këto devijime t'i quajnë devijime teknike të vogla, raste të izoluara. Qysh edhe ju kam informuar gjatë tërë kohës, masat tona kanë treguar të kundërtën. Unë i kam mbledhur në terren 884 masa, nga to 87% tregojnë që koha në njehsor matet gabimisht. Dhe këtu para jush sot e kam edhe një dosje tjetër, e cila është dosja nga qytetarët, mbi 500 kallëzime, verifikime të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilat tregojnë se njehsorët e tyre po matin gabimisht”, tha Azemi.
Azemi thotë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara apo gabime teknike, por për një skemë të organizuar mashtrimi me njehsorë elektrikë.Ai shtoi se Ministria e Industrisë dhe Tregtisë ka dalë në terren për të verifikuar problemet me njehsorët elektrikë, por sipas tij, kjo tregon se problemi ka ekzistuar prej kohësh, por institucionet nuk kanë vepruar.
“Në të njëjtën kohë sot kemi mësuar nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë që kanë dalë në terren me stafin e tyre për me i verifikuar gabimet me njehsorë elektrikë. Dhe sot pikërisht e mësuam se ku paska qenë edhe problemi dhe shtylla kryesore ku duhet me u bazuar i gjithë ky skandal. Pra shteti e paska pasur fjalën e vet të cilën nuk e paska ushtruar asnjëherë. Nëse Ministria e Industrisë dhe Tregtisë sot paska dalë me i heqë njehsorët elektrikë, atëherë pyetja e thjeshtë është: ku paskan qenë këta gjithë këto vite që nuk paskan reaguar?Të dy palët, atje edhe KEDS-i edhe Ministria e konfirmojnë që kanë pasur ankesa prej qytetarëve. Pra paska pasur ankesa edhe në KEDS edhe në Ministri të Industrisë dhe Tregtisë, po pse s'paskan reaguar”, tha Azemi
Përveç kësaj, Azemi ka theksuar se organet kompetente duhet të ndërhyjnë menjëherë për të sqaruar përgjegjësitë e KEDS-it dhe të Ministrisë përkatëse, duke paralajmëruar se rasti nuk duhet trajtuar si çështje teknike, por si problem me përmasa të mëdha.
Ai ka shtuar se do t’i drejtohet Prokurorisë për të kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe trajtimin e tij me urgjencë, duke kërkuar edhe kompensimin e qytetarëve të dëmtuar.
“Mu në ditët në vazhdim nuk më mbetet gjë tjetër pos me i u drejtuar Prokurorisë së Shtetit, Prokurorisë Speciale për, do të thotë KEDS-in dhe Ministrinë e Industrisë, në mënyrë që ky rast të gjejë zgjidhje sa më shpejt. Qytetarët e dëmtuar me të drejtë po kërkojnë kompensimin e tyre dhe kjo do të jetë ndoshta edhe kërkesa kryesore e këtij skandali të zbardhur. Pra po e përsëris: ku ishte shteti i cili nuk i mbrojti qytetarët e vet, e la KEDS-in me manipuluar me njehsorë elektrikë dhe reagoi vetëm në momentin kur plasi skandali i tyre nga ne,” tha Azemi.
Lidhur me këto pretendime, MINTI ka themeluar Komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë. Derisa sot bëri të ditur se, njehsorët që janë vërejtur se kanë mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.
Sipas MINTI-it, rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë.