Avokati i Popullit nis hetimet në lidhje me pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve në Gazimestan
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Avokati i Popullit nis hetimet në lidhje me pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve në Gazimestan
avokati-i-popullit
Foto Ilustruese
07/07/2026 - 12:01
Linku u kopjua

Avokati i Popullit, bazuar në ankesat e pranuara, informatave të dërguara nga OJQ të ndryshme, si dhe informatave të mbledhura nga mediat, ka vendosur të hap hetime sipas detyrës zyrtare lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarët policorë të të arrestuarve gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan më 28 qershor 2026.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur hetime lidhur me pretendimet e publikuara dhe ankesat e pranuara nga disa qytetarë, të arrestuar nga Policia e Kosovës, se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe se ndaj tyre janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Hetimet janë iniciuar me qëllim të verifikimit të fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe për të vlerësuar nëse gjatë trajtimit të personave të arrestuar janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, thuhet në njoftim.

Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson se çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me parimin e ndalimit absolut të keqtrajtimit fizik, trajtimit ose ndëshkimit çnjerëzor apo poshtërues. Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës ose për shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria kërkon një hetim të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të shpejtë.

Lexo po ashtu
Moti sot
Në kuadër të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë mbledhjen e informatave dhe dokumentacionit përkatës nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Institucionit.

Pas përfundimit të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit do ta informojë opinionin publik dhe palët e interesuara për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse, në përputhje me kompetencat e tij ligjore.

Më 28 qershor, Policia e Kosovës bëri të ditur se manifestimet e mbajtura të dielën me rastin e Vidovdanit kanë përfunduar pa incidente që do të ndikonin në situatën e sigurisë, ndërsa 37 persona janë shoqëruar në stacion policor për intervistim pas thirrjeve provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes.

Sipas njoftimit të Policisë, për mbarëvajtjen e aktiviteteve janë ndërmarrë me kohë masa planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.

Ndërsa, më 1 korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet si dhe gjoba për personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, të cilët akuzoheshin për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”.

Masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë vlejnë për shtetasit e huaj që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026