Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet si dhe gjoba për personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, të cilët akuzoheshin për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”.
Masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë vlejnë për shtetasit e huaj që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.
Gjyqtarja e çështjes, Naime Krasniqi, tha se dokumentet nuk do t’u kthehen të 36 personave derisa ta paguajnë gjobën prej 700 eurosh.
Ajo e arsyetoi vendimin e gjykatës për t’i shpallur fajtorë me faktin se të akuzuarit kishin brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke ngritur tre gishtat lart, gjë që, sipas Krasniqit, konsiderohet mesazh nacionalist.Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan për të shënuar Vidovdanin, që është edhe festë fetare, në përkujtim të betejës kundër Perandorisë Osmane më 1389.
Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989.