AUV kërkon burimin e kontaminimit në ujin “Kllokoti” që u largua nga tregu evropian
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
AUV kërkon burimin e kontaminimit në ujin “Kllokoti” që u largua nga tregu evropian
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk e ka mësuar burimin e kontaminimit në lotet e ujit mineral “Kllokoti”, për të cilat është urdhëruar tërheqja nga tregu evropian pas gjetjeve laboratorike për nivel të lartë të borit.
Në një prononcim për KosovaPress, zyrtari i AUV-së Lamir Thaci ka bërë të ditur se prania kontaminimit është konstatuar nga autoritetet zvicerane pas analizave laboratorike, dhe se nuk është raportuar asnjë rast nga konsumatorët.
“Identifikimi i pranisë së kontaminimit është bërë nga autoriteti kompetent zviceran pas kryerjes së testeve laboratorike. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë raportim nga konsumatorët apo ndonjë dyshim. Burimi i kontaminimit mbetet të identifikohet pas hulumtimit të plotë në të gjithë zinxhirin, nga burimi, trajtimi e deri te paketimi. Analizat laboratorike do ta përcaktojnë burimin. Aktualisht jemi në fazën e gjurmimit të produktit dhe ende nuk kemi të dhëna të plota për shpërndarjen e tij. Për lotet sipas datave të skadimit është dhënë urdhër për tërheqje që nga publikimi i njoftimit. Lotet e tjera do t’i nënshtrohen testimeve laboratorike. Ne do të veprojmë në përputhje me mandatin tonë ligjor për të mbrojtur dhe ruajtur shëndetin publik”, thuhet në përgjigjen e AUV-së për KosovaPress.
Agjencia ka theksuar se procesi i gjurmimit të produktit dhe analizat shtesë laboratorike janë në zhvillim e sipër, ndërsa veprimet e mëtejshme do të varen nga rezultatet e hetimeve.
KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga kompania prodhuese e ujit mineral “Kllokoti” lidhur me tërheqjen e disa loteve nga tregu dhe gjetjet e autoriteteve zvicerane, por përfaqësuesit e kompanisë nuk kanë qenë të qasshëm, deri në publikimin e këtij lajmi.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.