Shoqata Fermerët Kosovarë të Qumështit reaguan në lidhje me konferencën për media të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë(AUV) për gjendjen e krijuar në qumështoren “Vita” në Istog, duke vlerësuar se në këtë konferencë për media nga ana e AUV-it nuk u tha asgjë e re, ndërsa fermerët po presin rifillimin e marrjes së qumështit të freskët.
Prodhues ditën e sotme, në shenjë proteste kanë derdhur qumështin në lumë.

“Pse i tërë ky hezitim? Po e përsërisim, në të kundërtën mosgrumbullimi do të pasojë me një protestë të paparë në Prishtinë.
Lutje publike: Publikoni rezultatet për mostrat e muajit prill dhe muajit maj 2026 në mënyrë të shmanget një situatë e pakëndshme për gjithsecilin”, shkroi në Facebook, Shoqata Fermerët Kosovarë të Qumështit.Megjithatë, AUV thekson se gjetjet përfundimtare do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike.
Në konferencën për media, kryesuesi i Komisionit për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve dhe udhëheqësi i Zyrës Rajonale të Prizrenit, Durak Zyraku, tha se konstatimi i komisionit bazohet në gjetjet e inspektorëve që kanë qenë në terren.