Magyar tha se Vuçiq e ka kumbar Putinin, “çmendet” presidenti serb
Ballkani
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Magyar tha se Vuçiq e ka kumbar Putinin, “çmendet” presidenti serb
putin_vucic
14/04/2026 - 18:48
Linku u kopjua

Fitorja e Peter Magyar në zgjedhjet nacionale të Hungarisë, të dielën, e ka shqetësuar jo pak presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dhe jo vetëm për faktin se ky i fundit nuk do ta ketë më në pozitë, në shtetin fqinj verior, mikun e tij, Viktor Orban, me të cilin mban raporte shumë të afërta.

Vuçiq u bë shumë nervoz me kryeministrin në ardhje të Hungarisë, kur ky i fundit tha se paraardhësi i tij në Budapest, homologu nga Bratisllava e Sllovakisë, dhe presidenti në Serbi, kanë një kumbar të përbashkët.

Magjar nuk e përmendi emrin, por u aludua se bëhet fjalët për rusin, Vladimir Putin.

“E di saktësisht çfarë po ndodh në Serbi dhe gjithashtu e di çfarë lloj lidhjesh ekzistojnë mes qeverisë së Orbánit dhe Serbisë së udhëhequr nga Vuçiq, si dhe mes Robert Ficos të Sllovakisë dhe Viktor Orbánit. Gjithashtu e di përafërsisht kush qëndron pas kësaj — kush është ‘kumbari’ pas këtyre miqësive të mëdha”, tha Magyar në një konferencë për shtyp të hënën, transmeton Euronews, përcjellë KosovaPress.

Vuçiq reagoi menjëherë, duke u bërë i pari udhëheqës i huaj që u përlesh, të paktën verbalisht, me kryeministrin e ri hungarez, vetëm një ditë pas fitores së tij.

Në një intervistë për transmetuesin publik në Beograd, serbi hodhi poshtë pretendimet e Magyarit se ai e di kush po e orkestron aleancën ndërmjet Orbanit, kryeministrit sllovak Robert Fico dhe Vuciq, duke i quajtur ato budallallëqe.

“Ai tha se e di kush qëndron pas marrëdhënieve të tilla mes Orbánit, Ficos dhe Vuçiqit. Dhe unë e pyes: kush qëndron pas tyre? Hajde, m’u përgjigj! Ai nuk ka asnjë ide... duke lënë të kuptohet se mund të jetë Putini. Po të mos isha i shqetësuar për marrëdhëniet me hungarezët në vendin tonë dhe me vetë Hungarinë, do ta quaja deklaratën e tij të marroqe dhe të papërgjegjshme”, tha serbi.

Në fakt, nuk ishte vetëm aludimi se Putin është kumbara i Vuçiq, Orban e Fico, që nervozoi presidentin serb.

Ky mund të jetë hidhëruar shumë edhe nga deklarata tjetër e Magyar, gjatë konferencës të së hënës, kur foli për gjetjen e mjeteve shpërthyese afër gazsjellësit TurkStrim në Serbi, ngat kufirit me Hungarinë, duke e konsideruar këtë operacion si të dyshimtë, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që të ketë qenë një kërcënim i vërtetë.

“Gjatë fushatës zgjedhore, pati një operacion që dukej si një sulm, të dielën e Pashkëve. Qeveria ime e ardhshme do të hetojë saktësisht se çfarë ka ndodhur, dhe, nëse rreziku ishte real”, tha ai.

Autoritetet serbe njoftuan më pesë prill se dy çanta me eksploziv ishin gjetur pranë gazsjellësit, i cili transporton gaz natyror rus drejt Hungarisë.

Vuçiq tha se hetimi do të përfundojë dhe për gjetjet e tij do të informohet edhe Magjar.

Pavarësisht shkëmbimeve të ashpra, të dy liderët shprehën dëshirën për të ruajtur “marrëdhënie të mira dypalëshe”.

Vuçiq gjithashtu i dërgoi një mesazh urimi Magjarit pas zgjedhjeve të së dielës në të cilat ky i fundit i fitoi bindshëm ndaj mikut të tij, Orban, i cili kishte qëndruar në pushtet gjashtëmbëdhjetë vjet.

Kryeministri në largim i Hungarisë ka qenë ndër liderët e rrallë në BE që ka mbështetur fuqishëm Serbinë dhe udhëheqësin e saj, ani se Unioni e ka kritikuar gjithmonë shtetin ballkanik për politikën e dy ulëseve, edhe me Brukselin, edhe me Moskën

Vuçiq dhe Orban kanë mbajtur raporte të afërta personale me Putinin edhe pas luftës që ky i fundit nisi me Ukrainën, më 2022.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026