Radio që i jep zë komuniteteve pakicë në Prizren
Tema
Lexohet për: 4 min.
radio-roma-041123
1 vit më parë
Linku u kopjua

Radio Romano Avazo, apo në shqip Zëri i Romëve, është një media lokale në Prizren e cila filloi së transmetuari në vitin 2007 falë angazhimit të shoqërisë civile dhe veprimtarit të komunitetit rom Nexhip Menekshe me qëllim informimin e komuniteteve pakicë në gjuhën e tyre.

Muzikë, emisione argëtuese e edukative si dhe debate me tema të ndryshme të cilat lidhen me problemet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në komunën e Prizrenit, mund të dëgjohen gjatë 24 orëve program të kësaj radioje.

Jasir Misini, gazetar në Radio Romano Avazo, tregon se sjellin informacionet nga aktualiteti në kohë reale në gjuhen rome por në të njëjtën kohë radio është një zë i komunitetit rom, dhe jo vetëm, për të drejtat e tyre.

“Besoj që i jep shumë zë për shkak se është radio e vetme në Kosovë e cila transmetohet 24 orë dhe mund të ketë qasje drejtpërdrejt në lajme ditore apo të gjitha gjërat që ndodhin aktualisht në Kosovë për të informuar në gjuhën e tyre”, tha Misini. 

Misini tregon se organizojnë katër debate në muaj me tema të ndryshme të cilat prekin interesat e qytetarëve të komuniteteve pakicë në Prizren.

“Radio financohet prej organizatave të ndryshme apo prej organizatave evropiane, duke marrë parasysh që krijojmë katër debate në muaj me tema të ndryshme të cilat avokojnë apo lobojnë për të drejtat e njeriut apo për të drejtat e komuniteteve, tema të ndryshme në radio përcjell çdo muaj pas muaji për shembull shëndetësi, arsim, kulturë, në edukim dhe të gjitha temat të cilat i prekin komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, vijoi Misini.

Shyret Hoxhaj, aktiviste nga komuniteti rom, e cila kohë pas kohe angazhohet edhe në Radion Zëri i Romëve, thotë se ka mësuar shumë gjatë punës së saj në këtë media por të në të njëjtën kohë ka trajtuar tema që i shërbejnë të rinjve të komuniteteve.

“Kam mbajtur disa emisione me tema të ndryshme ku si të intervistuar kemi pasur nga komuniteti rom, apo komuniteti ashkali dhe egjiptian, kemi pasur edhe nga komuniteti shumicë shqiptar, ku temat kanë qenë të ndryshme me interes së Komunës së Prizrenit. Për mua ka qenë një përvojë shumë e mirë sa kam punuar dhe vazhdoj të punoj me një ekip profitabil ku vazhdoj të mësoj më shumë për mediat lokale ku kam dëshirë të madhe që të vazhdoj të punoj me ta. 

Misini tregon se financimi mbetet sfida më e madhe e medias në të cilën punon.

“Sfida më e madhe, jo vetëm e kësaj radio, por të gjitha radiot e komuniteteve është qëndrueshmëria financiare për shkak se projektet është kohë pas kohe, nuk kanë stabilitet të qëndrueshëm, projektet jepen në bazë të rrethanave se qysh është gjendja”, tha ai.

Megjithatë, Radio “Romano Avazo” është munduar që t’i përshtatet ndryshimeve të tregut mediatik duke mundësuar që programi i saj të dëgjohet edhe online përmes uebfaqes zyrtare dhe faqes në Facebbook.

Madje, në rrjete sociale ata hedhin edhe lajme në mënyrë që ata të cilët nuk mund t’i dëgjojnë në radio t’i kenë mundësi që t’i lexojnë ato.

“Uebfaqja në Facebook është më aktive ku kanë mundësi apo qasje komuniteti rom për të parë gjithçka postojnë ministritë, Ministria e Komuniteteve dhe Kthim, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku i marrim lajmet nga gjuha shqipe i përkthejmë në gjuhën rome ku kemi bashkëpunim edhe me mediat e tjera ku i përkthejmë të gjitha lajmet”, tha Misini.

Radio Zëri i Romëve mund të gjendet në Facebook me emrin Radio Romano Avazo apo edhe në frekuencat lokale në Prizren 107.3 MHz.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet joshumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024