Me thirrjen simbolike “Të mëdhenjtë pasurohen, të vegjlit mbijetojnë”, ishte paraparë të mbahej një protestë për 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por dështoi për shkak se nuk kishin njoftuar policinë.
Protesta e organizuar nga shoqata e bizneseve të vogla, ishte paraparë të mbahej para Komunës së Prishtinës dhe para Zyrës së BE-së.
“Ne për sot kemi thirrë protestë të Shoqatës së Bizneseve të Vogla, për të protestuar për të drejtat e punëtorëve, për kushte më të mira, me rastin e festës së 1 Majit. Mirëpo, për arsye se nuk i kemi përmbajtur afateve sipas ligjit që përcaktohen për thirrje të protestës, na është dashur ta anulojmë protestën, por megjithatë do të japim një deklaratë për mediat”, deklaroi Hasani.
Në mesazhin e tij për 1 Majin, ai theksoi se institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të mos sillen si pronarë të vendeve të punës, ndërsa ngriti edhe çështjen e trajtimit të pabarabartë të bizneseve të vogla krahasuar me ato të mëdha.
Përveç kësaj, Hasani bëri të ditur se gjatë ditës ishte planifikuar të realizohej edhe një aksion simbolik pranë zyrës së Bashkimit Evropian, për të tërhequr vëmendjen mbi, siç tha, mungesën e zbatimit të standardeve demokratike në rastet kur shkelen të drejtat e punëtorëve.