Kurti përshëndet arrestimet për Reçakun: Deri më 2020 askush s’u mor me këtë masakër
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti përshëndet arrestimet për Reçakun: Deri më 2020 askush s’u mor me këtë masakër
24/06/2026 - 09:56
Linku u kopjua
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përgëzuar institucionet e vendit për arrestimin e ish-pjesëtarëve të Policisë së Serbisë për Masakrën e Reçakut, raporton KosovaPress.
Kurti tha se arrestimet u bënë pas një hetimi prej 6 muajsh, por u shpreh se nuk mund të mos vihet në spikamë fakti se deri në vitin 2020 askush nuk është marrë me këtë rast.
“Afër 27 vjet e gjysmë pas Masakrës së Reçakut janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të Policisë së Serbisë. Përderisa në njërën anë përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve, pas siç u tha një hetimi prej 6 muajsh, nuk mund të vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020 askush nuk është marrë me këtë rast. Rrjedhimisht, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjëra s’ishte për Masakrën e Reçakut. Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim, e në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekjen e përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi lidhur me këtë rast”, tha Kurti, raporton KosovaPress.
Tutje, Kurti u shpreh se derisa po i afrohemi tri dekadave nga lufta e fundit, dëshmitarët po plaken dhe se është e domosdoshme që hetimet e gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës të marrin hov e ritëm të shtuar.
“Derisa po i afrohemi tri dekadave nga lufta e fundit, dëshmitarët po plakën e jo pak edhe kanë vdekur. Andaj është e domosdoshme që hetimet e gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës të marrin hov e ritëm të shtuar. Si qeveri, jemi gjithnjë të interesuar, angazhuar e përkushtuar të ndihmojmë në këtë drejtim”, tha Kurti.