Rreth 700 biznese janë mbyllur në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Kosovë. Rritja e importit, shtrenjtimi i energjisë elektrike, mungesa e fuqisë punëtore, konkurrenca jo e drejtë dhe mungesa e një ligji për mbrojtjen e bizneseve, konsiderohen disa nga faktorët që ndikuan në mbylljen e qindra bizneseve, raporton KosovaPress.
Lexo edhe:
Ndonëse, ka edhe një numër të bizneseve të reja të regjistruara në këtë periudhë, vlerësohet se kjo shifër e shuarjes duhet të jetë sinjal alarmues për qeverinë dhe institucionet e vendit.
Me falimentimin e bizneseve, konsiderohet se po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon në rritjen e shkallës së varfërisë në vend.
Ahmeti thekson se kostoja e lartë e punës, inflacioni, varësia nga importi dhe rritja e çmimit të rrymës janë ndër faktorët kryesorë që po rrezikojnë qëndrueshmërinë e bizneseve.
Një tjetër problem serioz, sipas Ahmetit, përveç mungesës së punëtorëve, është edhe largimi i atyre me përvojë, gjë që po e dëmton rëndë tregun vendor.
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) thonë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë mbyllur 698 biznese. Ndërkaq, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i mbylljes së bizneseve ishte 833, ndonëse krahasuar me periudhën përkatëse të vitit të 2024, këtë vit ka një rënie të numrit të bizneseve që janë shuar.
Eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, thotë se mbyllja e bizneseve viteve të fundit nuk po ndodh vetëm tek bizneset sezonale, siç ishte më parë, por sipas tij po prek edhe ndërmarrjet e mëdha me shumë punëtorë.
Siç thekson Qorrolli, shkaktarët kryesorë janë kostot e larta nga importi, shpenzimet institucionale dhe presionet nga borxhet publike.
Edhe Qorrolli potencon se mungesa e fuqisë punëtore dhe pamundësia për të funksionuar me staf të reduktuar po e shtojnë pasigurinë, ndërsa kompanitë më të mëdha janë ato që po përballen me rrezikun më të madh të mbylljes.
“Janar - qershor 2024 janë hapur gjithsej 6065 biznese të reja. Janar - qershor 2025 janë hapur gjithsej 6642 biznese të reja”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.
Lidhur me profilizimin e bizneseve të reja, Kushtrim Ahmeti drejtor ekzekutiv në DHTIK thotë se pjesa dërrmuese e bizneseve të reja që janë hapur vitet e fundit janë shërbyese ose tregtare, por jo prodhuese.
Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, thotë bizneset e reja po hapen kryesisht me nga 5 deri në 10 punëtorë, e që sipas tij nuk ofrojnë siguri për zhvillim afatgjatë.
Sipas tij, kur këto biznese të përpiqen për zgjerim, ato po përballen me sfida të mëdha që mund t’i pengojë të mbijetojnë.
Megjithatë në vitin 2024 janë mbyllur mbi 1 mijë e 600 biznese. Ndërkaq, në vitin 2023 kanë falimentuar afro 1 mijë e 500 biznese
Ndërsa, ditë më parë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati shkroi në Facebook se numri i bizneseve të reja ka shënuar edhe një rekord të ri në vitin e kaluar. Sipas Muratit, në vitin 2024 janë regjistruar 12,051 biznese të reja, që sipas tij përbën një rritje prej 5.6% krahasuar me vitin paraprak.
Tema e plotë në sistemin me parapagim.