Disa biznese kanë nisë t’i pranojnë sot faturat e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin qershor të këtij viti, pas dy muajve vonesë. Një ndër bizneset që e pranoi faturën e qershorit 2025 më të shtrenjtë minimumi 100 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, është kompania “Elkos”.
Pronari i kompanisë “Elkos”, Ramiz Kelmendi tha për KosovaPress se sot kanë pranuar faturën e muajit qershor në vlerë prej 346 mijë euro. Ai thekson se fatura e qershorit 2024 ka qenë 166 mijë euro. Sipas tij, ky shtrenjtim ka me shkaktuar rritje të çmimit të produkteve dhe shërbimeve 10 deri në 30 për qind.
“Na erdhi fatura. Vitin e kaluar, ka qenë fatura 166 mijë. Muji qershor i vitit 2025, 346 mijë... Ne nuk mundemi me punuar, por meqenëse duhet me transferua te qytetari, atëherë këto pare diku rreth 200 milionë shtesë ka me i dalë të gjithë qytetarëve mbi barrën e çmimeve që kanë me u krijua. Për shembull, ke me shkua me emër bukë në restorant, do të dalë më shtrenjtë tash, çdo gjë më shtrenjtë...Diku deri në 10 për qind, diçka edhe më shumë, këto cka prodhohet në Kosovë shkon edhe deri në 30 për qind...Është diçka që persekuton ekonominë, e këputë, sidomos në raport me konkurrencën që vjen prej shteteve fqinje që e kanë çmimin e një selektivite më të lirë se ne”, tha Kelmendi.
Ndërsa, sipas komunitetit të biznesit vendimet e ZRRE-së rrezikojnë largimin masiv të mijëra punëtorëve, ulje të prodhimit dhe rritje të importit.
Bizneset vazhdimisht kanë protestuar në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së, që sipas tyre shkakton barrë të rëndë për kompanitë vendore dhe ekonominë e Kosovës. Në anën tjetë Qeveria e Kosovës nuk mori parasysh asnjë herë kërkesat e komunitetit të biznesit për shtyrje të vendimit.

Gjykata Komerciale e Kosovës, raportohet se ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.
Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Po ashtu KosovaPress ka kërkuar sqarime për këtë vendim edhe nga ana e Gjykatës Komerciale, e cila deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.