Abdixhiku pas takimit me Kurtin: U diskutua për shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të reja
2-Second
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Abdixhiku pas takimit me Kurtin: U diskutua për shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të reja
abdixhiku1234
10/07/2026 - 21:45
Linku u kopjua

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti

tha se u diskutua për shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të reja.

Ai tha se në një takim të vetëm ishte e pamjaftueshme të trajtohen të gjitha çështjet, por ishte një hap i mirë drejt hapjes së kapitujve të tjerë në ditët vijuese, raporton KosovaPress.

“Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Republikën e Kosovës dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme, të katërtat me radhë në më pak se një vit e gjysmë. Në këtë frymë u angazhuam për diskutime rreth parimeve thelbësore rreth të cilave duhet të zhvillohen këto diskutime, vlerave dhe ideve po ashtu programore rreth të cilave të dy palët kanë interes dhe në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë. Pra edhe një herë po them, të katërtat me radhë”, tha Abdixhiku.

E pyetur nga gazeëtarë se në ç’cilësi ishte Vjosa Osmani në këtë takim, Abdixhiku tha  se

ishte bartëse e listës. Ai tha se LDK-ja kërkon jo vetëm stabilitet institucional, por balanc demokratik.

“Ne diskutuam për parimet rreth të cilave duhet të dakordohemi. Dhe këto parime për ne, për LDK-në, janë të qarta. Ato kërkojnë jo vetëm stabilitet institucional që nga tash, për një kohë të gjatë dhe të qëndrueshme, pra për t'i shmangur zgjedhjet, por dhe kërkojnë të domosdoshmen balancën demokratike, në të cilën balancë të gjitha palët kontribuojnë me vetëdije të plotë për t'i ofruar vendit institucione të qëndrueshme, jo vetëm kontrolluese ndaj njëra-tjetrës, por kontribuuese ndaj një vlere të përbashkët që mund ta kemi.

Ne po flasim në këtë fazë për parimet, parimet dhe vlerat rreth të cilave duhet të diskutojmë dhe të vazhdojmë diskutimet tutje. E di që keni interes për të marrë vesh detaje, të cilat ne ende s'i kemi definuar. Nuk kemi arritur të flasim as për emra të përveçëm, po flasim për procesin dhe dakordimin që pas diskutimeve të takimit të parë, sepse ishte vetëm takimi i parë, të vazhdojmë dhe tutje të përpiqemi të gjejmë marrëveshje. Tani, siç e dini, kur dy palë ulen, dallimet e mëdha vlerore, programore edhe mbi mënyrën e organizimit të vetë institucioneve, duhet të reduktohen në mënyrë që të ketë një marrëveshje të tillë”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së tha se po punojnë për definimin e parimeve.

“Po bëjmë përpjekje t'i definojmë këto parime. Ende nuk i kemi definuara, po t'i kishim të definuara do të dilnim me komunikim të tillë si tani po flasim për parime të dakorduara'. Po punojmë. Në një takim të vetëm ishte e pamjaftueshme t'i trajtojmë të gjitha çështjet, por ishte një hap i mirë, i mbarë drejt hapjes së kapitujve të tjerë, takuese e diskutuese në ditët në vijim. Ju kujtoj edhe njëherë, kemi 30 ditë kohë për thirrjen e seancës së Kuvendit të Republikës dhe më pas i kemi dhe 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit. Por e rëndësishme është që po flasim para se të merren apo të nisin hapa të njëanshëm të formimit të institucioneve, dhe kjo më jep shpresë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për unitetin e munguar në LDK, Abdixhiku tha se LDK flet si tërësi unike.

“Për marrëveshje në të cilën LDK-ja nuk ndihet e përfaqësuar, ose nuk ndihet që vlerat e saj po tregohen, s'kemi asnjë votë, as votën time. Pra për një marrëveshje të mirë për Republikën e Kosovës dhe për stabilitetin institucional dhe për shmangien e zgjedhjeve, LDK-ja flet si tërësi unike.

 Natyrisht unë flas në emër të gjithë deputetëve. Por s'mund të flas për asgjë përderisa s'kemi marrëveshje. Pra duhet të shohim se çfarë është marrëveshja e më pas t'ia drejtojmë këtë marrëveshje eventuale, në qoftë se ka marrëveshje, organeve partiake dhe deputetëve të partisë. Kjo ndodh dyanshme. Pra përderisa s'ka marrëveshje s'mund të flasim as për pranim e as për refuzim sepse s'kemi ende marrëveshje. Pra ende nuk jemi në fazën që kemi thënë 'sot këtu arritëm marrëveshje e tani të shohim sa është e realizueshme'. Nuk jemi në atë fazë, na duhet kohë më tutje, po përpiqemi me vullnet të mirë që të arrijmë në një gjendje të tillë.

Besoj që sa më parë më mirë, ende nuk e kemi caktuar, i dhamë kohë njëri-tjetrit të diskutojmë dhe të vazhdojmë tutje me përpjekje”, tha Abdixhiku.

Ai ritheksoi se përpjekja është t'i shmangim zgjedhjet e ardhshme, ndaj, sipas tij, nuk është biseduar për emra të përveçëm, as për poste individuale.

“E garantuar nëse s'bëjmë asgjë, pra nëse s'bëjmë asgjë dhe rrimë me vete, gjëja e vetme e garantuar është që afati kohor konsumohet dhe zgjedhjet me automatizëm shkaktohen. Përpjekja jonë është t'i shmangim zgjedhjet e ardhshme sepse s'kemi çfarë t'i arsyetohemi njerëzve tanë, popullit të Kosovës. Katër palë zgjedhje për një vit e gjysmë vërtetë është çmenduri politike. Nuk kemi folur për emra të përveçëm, nuk po flasim për poste individuale. Ende nuk kemi arritur konsensus rreth parimeve, po i diskutojmë, po i shtrojmë në mënyrë shumë konstruktive dhe besoj që ky është hapi i parë. Vërtetë kisha pasur dëshirë të flasim më tepër në këtë rrethanë, por për hir të mbarëvajtjes së diskutimeve, ju lus për mirëkuptim dhe me kohë do t'i japim dhe informacionet më të domosdoshme sa herë që ka diçka të re”, tha Abdixhiku.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026