Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhor.
Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes Osmani, është pasi e njëjta ka pranuar më shumë propozime nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend sesa parashikohet me Kushtetutë.
Në këtë rast, presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se a u takojnë nga dy anëtarë LVV-së dhe PDK-së në KQZ, si dy partitë më të mëdha, apo në bazë të rezultatit zgjedhor të fundit, LVV-së i takojnë tre anëtarë e PDK-së një.
“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të presidentes për KosovaPress.
Në përbërjen e fundit të KQZ-së, LVV-ja ka pasur dy anëtarë, PDK-ja dy anëtarë, kurse LDK dhe AAK kanë pasur nga një anëtar./KosovaPress/