Përmes talenteve të rinjtë e të rejat e komuniteteve po ngrisin zërin për të drejtat e tyre. Përkundër sfidave, vështirësive, e paragjykimeve, ata po vazhdojnë rrugëtimin drejt realizimit të ëndrrave dhe të jenë shembull edhe për moshatarët. Vajzat dhe djemtë nga komuniteti rom, ashkalinj dhe egjiptian, rrëfejnë për KosovaPress, për dëshirat që kanë dhe nevojën që të ndihmohen nga institucionet.
Ilir Qorri rrit me tingujt e violinës, që tashmë e kujton me mall nga gjyshi.
“Pas disa vitesh u regjistrova në shkollën e muzikës fillore, aty kalova tri vjet. Por nuk kishte mundësi për të vazhduar instrumentin e gjyshit, ta trashëgojë edhe unë. Vazhdova në një instrument tjetër, i cili quhet instrumenti i kontrabasit...Është një instrument i rrallë, i cili tashmë ka filluar të përhapet në Kosovë. Prej komunitetit jam vetëm unë momentalisht që e studioj këtë instrument. Fillova shkollën fillore për instrument e kontrabasit, tri vjet i kam kryer shkollë fillore ku më pas tri vjet shkollë të mesme dhe tani momentalisht studioj në Fakultetin e Artave “Haxhi Zeka” në Pejë për të njëjtin instrument”, tregon ai.
Përveç kontrabasit, ai din mirë të luaj edhe në kitare.“Sfidat kanë qenë të ndryshme. Në shkollën fillore dhe shkollë të mesme, sfidat kanë qenë pak më të mëdha se tash. Kuptohet për të dashur me arrit një qëllim më të madh, një arritje sa më të suksesshme sfidat janë më të mëdha. Sfidat që kanë qenë për mua më të mëdha, është sigurimi i instrumentit. Për shkak se është një instrument shumë i shtrenjtë, një instrument i cili nuk gjendet në Kosovë fatkeqësisht dhe duhet të sigurohet nga shtete të tjera...Në shkollën e mesme kur kam qenë prej një profesori kam pasur diskriminim, nëse nxënësit tjerë kanë dashur për 10 me marrë një notë më të madhe, unë është dashur të kalojë 20 pikë për të marrë një notë të njëjtë bashkë me nxënësit tjerë. Kjo ka qenë ajo që kam vërejtur unë.
Në një familje artistësh, u rrit edhe Gynesh Veshall, e cila tash e tetë vjet është aktive në teatrin amator që mban emrin “Nexhip Menekshe”, në Prizren.
Përkundër sfidave, ajo fton të gjitha vajzat e komunitetit rom që të bëhen pjesë e teatrit që ka emrin e dajës së saj, të cilin e konsideron edhe aset të kulturës.
Ergjan Mehmeti është aktor nga komuniteti ashkalinj tregon se që nga fëmijëria ka përlqyer lojërat dhe profesionet e ndryshme. Ndërsa, më vonë e ka kuptuar se duhet të bëhet aktor.
“Gjithmonë, çdo aktor i ka sfidat e veta, edhe unë si artist i ri gjithmonë kam pas sfida, sidomos në çështjet financiare, çështjen e promovimit, por fal njerëzve që kanë deshtë me më ndihmu dhe më kanë ndihmu edhe sot, jam pjesë e disa projekteve që veç janë aktive në Kosovë... të rinjtë t’i ndjekin ëndërrtat e tyre, le ta dëgjojnë zemrën e tyre që çka do që duan le ta bëjnë, mos të dëgjojnë njerëzit tjerë por le ta bëjnë atë që duan njëmend ta bëjnë dhe kurrë të mos heqin dorë nga gjërat që iu pëlqejnë prej gjërave që iu pëlqejnë”, tha ai, duke shtuar sekomitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian ballafaqohen me sfidat dhe diskriminim.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet joshumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.