Në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë është mbajtur konferencë rajonale me temën "Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim". Në këtë konferencë u tha se 27 vjet pas luftës, shumë raste kanë mbetur të pandëshkuara dhe pa kompensim.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, tha se njohja e të mbijetuarve të dhunës seksuale nuk duhet të ketë afat.
"Drejtësia nuk është vetëm një proces i thjeshtë gjyqësor. Ai është moment, kur zëri i tyre dëgjohet, siç tha edhe Vasfija, kur e vërteta del në pah dhe kur dinjiteti fillon të rikthehet për ata që hyjnë në këto procese. Megjithatë, sot pas 27 vitesh që jemi këtu, shumë raste kanë mbetur ende të pandëshkuara dhe pa kompensim. Mungesa e llogaridhënies jo vetëm që e zgjat padrejtësinë ndaj këtij grupi të ndjeshëm shoqëror, por edhe e dëmton besimin në institucione dhe e thellon dhe më tej stigmën sociale. Pikërisht këtu fillon dhe vazhdon misioni i Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës”, tha Rushiti.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se njohja e së vërtetës mbetet sfidë në shoqëri.
"Po harrojmë faktin qe dhuna seksuale si armë lufte kundër grave, vajzave, djemve dhe burrave tanë ka qenë një instrument, i cili ka synuar të thyej shpirtin e kombit tonë. Kushdo, cilado grua, vajzë, fëmijë apo burrë ka mundur të jetë viktimë e dhunës seksuale në vitin 1998/1999. Ka qenë rastësi kujt i ka qëlluar që të jetë në vendin jo të duhur në atë moment. Prandaj, kur diskutojmë për stigmën, të cilën jemi duke e tejkaluar hap pas hapi, ndërkohë që debati shoqëror forcohet gjithëherë më shumë edhe qëndrimi institucional edhe njohja institucionale, të dyja këto shkojnë bashkë, ndërkohë që diskutojmë me të madhe mos të harrojmë që ka mundur të jetë fati i secilës grua, secilës vajzë, secilit burrë dhe djalë në vendin tonë”, tha ajo.
Numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë gra e burra.
Për herë të parë publikisht për tmerrin e përjetuar rrëfeu Vasfije Krasniqi në vitin 2018. Më pas, Shyrete Tahiri ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.