Me dhimbje, pak prani dhe shumë pyetje pa përgjigje, u shënua sot 27-vjetori i Masakrës së Kovaçëve në Mitrovicë, ku më 14 prill 1999 forcat serbe vranë 31 civilë shqiptarë, pasi u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre dhe u ekzekutuan.
Shahdie Pllana-Hoti, e cila humbi dy vëllezër dhe bashkëshortin, thotë se kujtimet e asaj dite mbeten të freskëta dhe të dhimbshme, duke përshkruar momentet e ndarjes dhe ekzekutimit si të paharrueshme.
Ajo shprehet e pakënaqur me trajtimin institucional dhe shoqëror të kësaj ngjarjeje, duke theksuar se viktimat e kësaj masakre nuk trajtohen njësoj si të tjerat dhe se përkujtimet karakterizohen nga pjesëmarrje e ulët.
“Për djemtë dhe burrat e kësaj rruge, kur kurgjë nuk është ndërmarrë sot e 27 vite, ju mundeni me pa edhe përkujtimin, kur është, sa pak njerëz ka. Këta nuk cilësohen, nuk trajtohen sikur viktimat dhe martirët e tjerë; këta janë ndryshe krejt trajtimi, nuk e di pse. Është masakra më e madhe në rrugën e ‘Kovaçëve’; keni mund me pa edhe vetë se qysh trajtohen, vijnë një grusht njerëzish dhe kurgjë hiq. Sa për institucionet, nuk kanë bërë kurgjë hiq, absolutisht nuk kanë bërë. E thjeshtë, dy minuta punë”, përfundoi ajo.“Me i nderuar këta martirë dhe shpresoj që viteve të tjera kemi me u bw më shumë dhe ata kriminelët që e kanë bërë gjithë këtë masakër të madhe, por jo vetëm në Mitrovicë, kanë me marrë dënimin e vet të merituar. Shpresoj që së bashku me komunën, qysh e përmendi edhe kryetari, kemi me arritë që kjo datë me hy në kalendarin historik të komunës dhe së bashku mos me i harru këta martirë, me i përkujtuar gjithmonë. Faleminderit edhe njëherë secilin që keni gjetë kohë me ardhë e këta Zoti, inshallah, i ka shpërblyer me Xhenet” – tha Sejdiu.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, e cilësoi këtë si një nga masakrat më të mëdha në nivel vendi dhe më të rëndën në Mitrovicë, duke theksuar se krimet ndaj civilëve të pafajshëm ishin pjesë e politikave të regjimit të Slobodan Millosheviqit.
“Këtu e 27 vite më parë, saktësisht më 14 prill 1999, në orët e pasdites, një grup i quajtur “Frangjësit” të Beogradit, të cilët ishin kriminelë çetnikë serbë, të cilëve u priu kryekrimineli Oliver Ivanoviq së bashku me Igor Simiq e të tjerë, i kanë nxjerrë prej banesave, shtëpive të veta 31 shqiptarë, kryesisht të rinj, i kanë qitur para shkollës “Meto Bajraktari” dhe i kanë pushkatuar me radhë. Një pjesë i kanë futur në oborr të shtëpisë së Kurshumliut, Haki Kurshumliut, dhe 4 prej tyre që kanë qenë në radhë duke pritur për t’u pushkatuar i ka liruar Oliver Ivanoviqi. Për këtë arsye edhe sot nuk kanë ardhur këtu; nuk e di pse, por ishte dashur edhe ata të jenë këtu prezent dhe të japin deklarata për mjetet e informimit. Këta 31 trupa të pajetë i kanë marrë, i kanë larguar prej këtu dhe i kanë varrosur me qëllim për zhdukjen e tyre në një fushë pjerrinë, e cila është në mes të fshatit Suhodoll dhe Vidimriq. Pastaj, më 25, 26 dhe 27 shtator 1999 bëhet zhvarrimi i tyre, ku 26 prej tyre identifikohen, ndërsa 5 prej tyre kanë mbetur të paidentifikuar dhe ende gjenden në morgun e Rahovecit, ku ka edhe shumë të pagjetur të tjerë”, tha Berani.
“Kanë qenë të arrestuar më vonë katër persona; tre prej tyre janë liruar nga aktakuza, ndërsa njëri, përkatësisht kryekrimineli Oliver Ivanoviqi, është dënuar me 9 vite burg, por kur ka bërë ankesë pas ankese është liruar nga burgu dhe është mbrojtur në liri, por ndërkohë e vranë vetë bashkëkriminelët apo bashkëkombësit e vet, edhe ai mbeti pa e kryer dënimin”, tha ai.
Edhe pas 27 vjetësh, Masakra e Kovaçëve mbetet një plagë e hapur për familjarët dhe qytetin e Mitrovicës. Mungesa e drejtësisë së plotë dhe trajtimit të barabartë për viktimat vazhdon të theksohet nga të afërmit, të cilët kërkojnë jo vetëm ndëshkimin e përgjegjësve, por edhe përkujtim dinjitoz dhe institucional të kësaj ngjarjeje. Për ta, 14 prilli nuk është vetëm një datë përkujtimore, por një kujtesë e përhershme për krimet e kryera dhe obligim që ato të mos harrohen kurrë.