27 vjet më parë Rusia dekoroi, midis Kosovës, ushtarët e vetë që “pushtuan” aeroportin e Prishtinës
2-Second
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
27 vjet më parë Rusia dekoroi, midis Kosovës, ushtarët e vetë që “pushtuan” aeroportin e Prishtinës
ruset_ceremonia_aeroport
19/07/2026 - 16:18
Linku u kopjua

Forcat e Armatosura të Rusisë kishin dekoruar, më 18 korrik 1999, 23 ushtarë që morën pjesë në hyrjen kontroverse dhe të rrezikshme në Kosovë, një ditë para vendosjes këtu së trupave të KFOR-it, natën ndërmjet 10 e 11 qershorit 1999.

Ushtarët, mbërritja e të cilëve në Prishtinë rrezikoi të shkaktonte një përçarje mes Rusisë dhe NATO-s, e mbase edhe një ‘Luftë të Tretë Botërorë” u patën nderuar, për siç ishte thënë, “trimëri”, në një ceremoni të veçantë dhe simbolike, të mbajtur të dielën e 18 korrikut 1999, në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës, ku edhe ishte vendosur baza ruse e KFOR-it.

Ushtarët, të cilët më pas do të ktheheshin në Bosnje për të vazhduar misionin e tyre në kuadër të SFOR-it, u dekoruan nga gjeneralmajori Valery Yevtukhovich.

Gjatë ceremonisë, ata ishin bekuar edhe nga prifti ortodoks rus, Ati Mikhail.

Njëzet e tre ushtarë, nga qindra pjesëtarë të kontingjentit rus, u vlerësuan për "guximin" e treguar gjatë marrjes nën kontroll të aeroportit të Prishtinës, rreth 40 ditë më parë.

Ky veprim kishte shkaktuar reagime të forta në arenën ndërkombëtare, pasi forcat ruse hynë në Kosovë përpara vendosjes së planifikuar të KFOR-it, pavarësisht marrëveshjes së mëhershme për bashkëpunim me NATO-n.

Ardhja e tyre para kohe, kishte tensionuar marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe vendeve perëndimore.

Menjëherë pasi trupat ruse morën kontrollin e aeroportit të Prishtinës, presidenti rus Boris Jelcin kishte dekoruar në Moskë disa nga gjeneralët më të lartë të ushtrisë ruse, kishte raportuar AP, përcjellë KosovaPress.

Ushtarët që u dekoruan në aeroport, ishin nisur të nesërmen për t'u kthyer në Bosnje, ku do të vazhdonin shërbimin.

Një ditë para kësaj ngjarje, komandanti i atëhershëm i KFOR-it, gjenerali britanik Michael Jackson, kishte shprehur bindjen se misioni i kontingjentit rus në kuadër të KFOR-it do të ishte i suksesshëm.

Ai u pati thënë gazetarëve në Prishtinë se marrëdhëniet ndërmjet ushtarëve 0rusë dhe kolegëve të tyre nga vendet e tjera pjesëmarrëse në KFOR ishin tashmë të mira.

Po ashtu, ai u kishte bërë thirrje edhe popullatës shqiptarë në Kosovë që të mirëpresin kontingjentin rus.

Në fakt, ata nuk ishin të mirëpritur, të paktën në zonat shqiptare u ata ishin vendosur. Banorët e Rahovecit, njëra nga vendet ku ishin përqendruar rusët, patën protestuar një kohë të gjatë, duke kërkuar largimin e tyre nga këtu, që ndodhi tek më 2 korrik 2003, kur Moska vendosi t’i tërheq trupat e veta, me arsyetimin se situata e sigurisë në Kosovë ishte përmirësuar. /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026